E premte, 24 Prill, 2026

Tabaku sulmon Ramën: Bëri “show me powerpoint” për mbetjet, me zgjidhjen që dha PD para 12 vitesh

Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit Edi Rama për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, duke e quajtur këtë një vazhdim të dështimeve të mëdha të qeverisë.

Sipas Tabakut, ky hap vjen pas dështimit të madh të projektit të inceneratorëve, për të cilin qeveria ka investuar miliona euro, ndërkohë që rezultatet janë katastrofike dhe mjedisi vazhdon të dëmtohet.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se është një turp për qeverinë që pas 12 vitesh mashtrimesh dhe premtimesh të rreme, tani po kthehen te zgjidhja që PD kishte propozuar më herët, atë të përdorimit të landfillit.

Ajo kujtoi se Partia Demokratike ka paraqitur këtë alternativë me dokumente zyrtare dhe buxhet, duke theksuar se kjo ishte dhe zgjedhja e Bashkimit Europian në raportet e tij të progresit, si dhe e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe Komisionit Hetimor të Inceneratorëve.

“Një tjetër konferencë ku “njeshi” flet, “dyshi” paraqet power point, ndërsa bashkitë që kanë çelësat e kashtës shënojnë pa të drejtë fjale.
Asnjë fjalë për 430 mln € kontrata të inceneratorëve.
Asnjë fjalë për 12 vite mashtrime se gjoja Shqipëria ishte pastruar.
Vetëm leksione me kostum e kollare!
Zgjidhja e propozuar ne Power Point?
Landfill!
Dhe landfilli qe zgjidhja që kishte dhënë PD që para 12 viteve, me studime e dokumente zyrtare edhe me buxhet. Këtë e propozoi sërish edhe në opozitë. Edhe BE-ja në progres raport kur kritikonte inceneratorët, edhe KLSH-ja kur bëri auditin madje edhe Komisioni Hetimor INceneratorëve e theksoi si alternativë të drejtë.
Por qeveria zgjodhi inceneratorët, i mbrojti publikisht, politikisht dhe sot vazhdon t’i paguajë nga taksat e shqiptarëve.
Sa më i bukur power point, aq më e pisët bëhet Shqipëria!”, shkruan Tabaku.

Sipas deputetes, çështja e inceneratorëve është një nga skandalet më të mëdha të qeverisjes aktuale, duke shkaktuar një dëm të madh për mjedisin dhe buxhetin e shtetit. Ajo ka kërkuar që të merren përgjegjësitë për dështimin e këtij projekti dhe që paratë e taksave të shqiptarëve të përdoren për zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për trajtimin e mbetjeve.

Reagimi i Tabakut pasoi njoftimin e Edi Ramës për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një strukturë që do të marrë përsipër menaxhimin e sistemit të mbetjeve, ndërkohë që kritikat ndaj dështimit të projektit të inceneratorëve janë bërë gjithnjë e më të forta.

Te tjera

Lajme te tjera