Në zemrën e kryeqytetit dhe gjithë Bashkinë e Tiranës, çdo mëngjes, përpara se qyteti të zgjohet plotësisht, nis puna e atyre që shpesh mbeten të padukshëm në sytë tanë: punëtorët e pastrimit dhe gjelbërimit. Nuk i ndal as i nxehti përvëlues i korrikut, as i ftohti therës i dhjetorit, as shiu i pafund i vjeshtës. Ata janë gjithmonë në lëvizje, duke i dhënë qytetit frymëmarrjen që meriton. Janë si roje të heshtur që mbrojnë hapësirat tona publike nga kaosi dhe papastërtia.
Puna e tyre shpesh nënvlerësohet, megjithatë është ndër më të rëndësishmet për jetën e përditshme të qytetarëve. Çdo rrugë e larë, çdo stol i pastër, çdo pemë e krasitur është dëshmi e mundit të tyre. Në duart që mbajnë fshesa, thasë apo gërshërë krasitjeje, fshihet një respekt i madh për jetën e komunitetit. Pa këtë punë të vazhdueshme, Tirana nuk do të kishte dot fytyrën moderne e të gjallë që shohim sot.
Nën drejtimin e drejtoreshës së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, Liri Kasa Qoshi, kjo ushtri e gjelbër dhe portokalli nuk është thjesht një strukturë pune, por një model organizimi, disipline dhe përkushtimi. Drejtimi i saj ka sjellë ndjenjë përgjegjësie dhe krenarie në këtë sektor, duke treguar se puna e ndershme dhe përkushtimi janë vlerat më të larta që mund të udhëheqin një qytet.
Këta punëtorë nuk janë vetëm pastrues rrugësh apo mirëmbajtës gjelbërimi. Ata janë arkitektët e një mjedisi të shëndetshëm, mbrojtësit e ajrit që thithim dhe të bukurisë që na rrethon. Ata e dinë mirë se çdo mbeturinë e hedhur kuturu mund të shndërrohet në një plagë për qytetin, dhe prandaj nuk ndalen kurrë.
Të vlerësosh punën e tyre do të thotë të kuptosh se pas çdo rruge të pastër fshihet një përpjekje e palodhur, pas çdo lulishteje të gjelbëruar qëndron një kujdes i përditshëm. Ata nuk kanë nevojë për duartrokitje të bujshme, por meritojnë respekt të thellë. Sepse në heshtje, me përkushtim e sakrificë, janë ata që mbajnë gjallë frymën e qytetit tonë.
Prandaj, kur ecim nëpër Tiranën e pastër dhe të gjelbëruar, le të mos harrojmë, se, ky qytet i bukur është edhe vepër e tyre. Nën drejtimin e drejtoreshës Qoshi, ata vazhdojnë të jenë shembull i punës së ndershme dhe dashurisë për komunitetin.
