207 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret, 40 prej të cilave janë djegur plotësisht. Këto shifra u bënë me dije nga kryeministri Edi Rama, teksa njoftoi se ka nisur edhe inventarizimi dhe të gjithë të prekurit do të kompensohen. Rama siguroi se do të kenë ‘shtëpi më të mira dhe të forta’, ndërsa tha se dëmshpërblim do të ketë edhe për krerët e bagëtive të humbura, që nga vlerësimi paraprak, janë 3 619.
“Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri por në këtë numër hyn 40 familje deri tani, të cilat e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmevve dhe padiskutim, siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë e më të fortë, dhe për të parë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3 619 krerë të humbur.”, tha kryeministri.
Iu përgjigj gjithashtu kritikave se pse Shqipëria nuk posedon avionë zjarrfikës, teksa mori shembullin e Spanjës dhe Turqisë që po digjen nga flakët. Kreu i qeverisë tha se “nuk ka asnjë forcë magjike që mund t’i ndalë zjarret”, ndërsa shtoi se janë të vetëdijshëm për mangësitë që mund të kenë në mjetet e duhura.
Nuk është fjala për të hequr përgjegjësitë. Ne i dimë përparimet, kufizimet, dimë çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë. I dimë të gjitha por që të flitet nga kafja apo çadra e plazhit për faktin që pati zjarre dhe të ngrihen akuza, të bëhen përqeshje etj se pse nuk u parandaluan zjarret kjo është me të lënë pa tekst.”, tha Rama.
Një koment bëri edhe për akuzat se udhëton me avion privat.
“Disa pa mendje kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë, qeveria paskemi blerë avionë për vete. Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe janë të verifikueshme”, tha Rama.
Duke u ndalur te paralajmërimet se do të ketë dënime më të ashpra për piromanët, Rama tha se ligji aktual është i fortë, duke shtuar se ‘jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës’.
