E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Politika uron Pashkët! Rama: Për shumë vjet! Basha: Sjelltë ndryshimin pozitiv që duam! Begaj: Më shumë gëzim, begati e paqe! Spiropali mesazh për politikanët

Share

Politika uron besimtarët e krishterë që sot festojnë Pashkët. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha uroi besimtarët përmes një postimi në rrjete sociale, ndërsa më pas, zhvilloi vizita në të dyja Katedralet në kryeqytet. Pas ndalesës në Katedralen Ortodokse, Basha deklaroi se festa e Pashkës duhet të jetë një reflektim për ndryshimin pozitiv që të gjithë duan. 

Edhe Berisha vizitoi të dyja Katedralet, por përkundër urimeve për besimtarët, në këtë ditë feste vijoi edhe me sulme politike. “Kjo ditë shënon ringjalljen, përjetësinë shpresën e pashuar. Le të urojmë nga zemra që pashkën tjetër ta kremtojmë siç na e do zemra dhe pa anti-krishtin në trojet tona. Gëzuar.”, tha ai.

Nga Katedralja e Shën Palit foli edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila përveç urimit për besimtarët, dha edhe një mesazh për politikën. Kjo ditë, tha kryetarja e Kuvendit, duhet të jetë një reflektim për të gjithë politikanët, që pavarësisht ndasive dhe bindjeve të tyre, duhet të punojnë bashkë për njerëzit.

“Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, u shpreh Spiropali.

Presidenti Bajram Begaj përcolli mesazhe urimi gjithashtu nga të dyja Katedralet. 

“Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, është shpresë, është besim, është gëzim. Është një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për shumë gëzim, begati e paqe në këto pashkë të gëzuara”, u shpreh presidenti teksa doli nga Katedralja Ortodokse, ndërsa shoqërohej nga Kryepeshkopi Joan. 

Edhe Tedi Blushi, në emër të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha një mesazh nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, duke thënë se vitin e ardhshëm, Pashkët do t’i gjejnë më mirë.  

“Pashka nuk është vetëm një ditë feste por edhe dëshmi triumfi të dritës ndaj errësirës, jetës mbi vdekjen të së mirës ndaj së keqes, dhe jam i bindur se pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë.”, u shpreh ai.

Meta përcolli një ditë më parë një mesazh edhe vetë nga qelia, duke thënë se Pashka nuk është vetëm një festë, por dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.

Këtë vit, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë, jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët. Arsyeja qëndron tek kalendarët e ndryshëm që përdorin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse.

Katolikët ndjekin kalendarin Gregorian, të vendosur në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII për të korrigjuar pasaktësitë e kalendarit Julian. Kisha Ortodokse vijon të përdorë kalendarin Julian, i cili është 13 ditë prapa atij Gregorian.

Megjithëse të dy traditat mbështeten në të njëjtin parim për llogaritjen e datës së Pashkëve,  të dielën pas Hënës së plotë që vjen pas ekuinoksit të pranverës, dallimet në kalendarë dhe në mënyrën e përcaktimit të Hënës kishtare bëjnë që datat të mos përputhen. Në vitin 2025, megjithatë, përputhja astronomike dhe kalendarike ka ndodhur natyrshëm: ekuinoksi i pranverës bie më 20 mars, Hëna e plotë pas tij më 13 prill, dhe e diela që pason është 20 prilli – një datë që përkon në të dy sistemet e llogaritjes.

Te tjera

Lajme te tjera