E hënë, 27 Korrik, 2026

Prekëse/ Shuhet Violeta Seliman, nëna e kryeredaktorit të gazetës “SOT”, Rigels Seliman! Dedikimi që po përlot këdo: “Ah moj mama, ma këpute shpirtin…”

Share

Një lajm i trishtë ka prekur familjen Seliman dhe të gjithë ata që e njohin gazetarin dhe kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman. Është ndarë nga jeta nëna e tij e dashur, Violeta Seliman, pas një beteje të vështirë me një sëmundje të rëndë.

Dhimbjen e madhe, që fjalët mezi e përshkruajnë, Rigels Seliman e ka ndarë me miqtë dhe ndjekësit në rrjetet sociale, përmes një dedikimi rrëqethës për gruan që e solli në jetë dhe që, siç shprehet ai, ishte “zemra dhe shpirti” i tij.

Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj dhe krijoi nënat! Ah moj mama që ma këpute shpirtin! Nuk dua ta besoj, dua të jetë një ëndërr e keqe! Ti ishe më shumë se një nënë, ishe zemra dhe shpirti im, drita që ndriçonte çdo ditë të jetës sime…“, shkruan mes të tjerash gazetari, në një mesazh që ka prekur mijëra zemra dhe ka marrë qindra komente ngushëllimi.

Në rreshtat e tij, ai rrëfen boshllëkun e madh që ka lënë largimi i së ëmës, duke e cilësuar atë si forcën, ngushëllimin dhe dritën e jetës së tij. Megjithëse e ndarë fizikisht nga kjo botë, ai shprehet se dashuria, kujtimet dhe mësimet e saj do ta shoqërojnë përgjithmonë.

“Dashuria dhe përkujdesja jote ishin një ngushëllim dhe forcë për mua, ndërkohë që tani që nuk je më, boshllëku që ke lënë është i pakapshëm. Çdo kujtim me ty është një thesar i çmuar që do ta mbaj përgjithmonë në zemrën time. Pusho në paqe, e nënë e dashur. Ti do të mbetesh gjithmonë në mendjen dhe zemrën time, si një yll që ndriçon natën më të errët. Me dashuri të përjetshme, djali yt.”

Mesazhi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke prekur jo vetëm kolegët dhe miqtë, por edhe shumë qytetarë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin me familjen Seliman në këtë moment të rëndë.

Largimi i Violeta Seliman lë pas një dhimbje të madhe për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Seliman. U prehtë në paqe!

Te tjera

Lajme te tjera