Kosova, një shtet i vogël por me zemër të madhe, feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë.
Shpallja e Pavarësisë u bë më 17 Shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shteti i Kosovës tashmë është njohur nga 117 shtete, ku shteti i fundit i cili ka njohur pavarësinë është Izraeli.
Sot, 16 vite më parë, Kosova, shteti më i ri në Europë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
16 vjet pas pavarësimit, Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha, të jashtme dhe të brendshme si papunësia, varfëria, jo stabiliteti energjetik, pagat e vogla, ikje të rinjve e profesionistëve nga vendi.
Ndër sfidat e jashtme Kosova vazhdon të përballet me diplomaci të brishtë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë së Albin Kurtit, mungesë e njohjeve të reja, problemet me dialogun e si pasojë edhe ftohje e marrëdhënieve me partnerin më të madh strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 15-vjetorin e shpalljes së shtetit, duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, prapa grilave gjenden edhe njerëzit që e shpallën shtetin e pavarur dhe luftuan për çlirimin e saj. Në Hagë duke pritur nisjen e procesit gjyqësor gjenden ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
