Çdo vit më 8 mars, miliona njerëz në mbarë botën festojnë Festën Ndërkombëtare të Gruas, një ditë që i kushtohet arritjeve sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave, sipas “Economic Times”.
Kjo ditë është njëkohësisht një moment për të reflektuar mbi progresin e bërë në drejtim të barazisë gjinore, por edhe për të theksuar sfidat që vazhdojnë të përballin gratë dhe vajzat në shumë vende të botës.
Sot, 8 Marsi festohet në dhjetëra vende me aktivitete të ndryshme – nga konferenca dhe marshime për të drejtat e grave, deri te aktivitete kulturore dhe fushata ndërgjegjësimi për barazinë gjinore.
Megjithatë, historia e kësaj dite fillon më shumë se një shekull më parë, në një kohë kur gratë në shumë vende nuk gëzonin as të drejtat më elementare.
Fillimi i lëvizjes për të drejtat e grave
Origjina e Festës Ndërkombëtare të Gruas lidhet me lëvizjet e grave punëtore në fillim të shekullit XX.
Në atë periudhë, gratë në shumë vende industriale punonin në kushte të vështira, me paga të ulëta dhe pa të drejta të barabarta me burrat.
Në vitin 1908, mijëra gra, punonjëse në industrinë e tekstilit në qytetin e Nju Jorkut dolën në protesta duke kërkuar paga më të larta, orar më të shkurtër pune dhe të drejtën për të votuar.
Këto protesta u konsideruan një pikë kthese për lëvizjen e grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një vit më vonë, në vitin 1909, në SHBA u organizua për herë të parë Dita Kombëtare e Gruas, e cila synonte të nderonte kontributin e grave dhe të tërhiqte vëmendjen ndaj pabarazive që ato përjetonin.
Ideja për një Ditë Ndërkombëtare të Gruas
Ideja për ta shndërruar këtë përkujtim në një ditë ndërkombëtare u propozua në vitin 1910 nga aktivistja dhe politikania gjermane, Clara Zetkin gjatë një konference ndërkombëtare të grave socialiste në qytetin e Kopenhagës, Danimarkë.
Zetkin sugjeroi që çdo vit të kishte një ditë të veçantë ku gratë në të gjithë botën do të mobilizoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre, veçanërisht të drejtën e votës dhe mundësi të barabarta në punë.
Propozimi u mbështet nga mbi 100 delegatë nga 17 vende dhe kështu lindi ideja e Festës Ndërkombëtare të Gruas.
Demonstratat e para masive
Festimet e para të kësaj dite u organizuan në vitin 1911 në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Danimarkën dhe Zvicrën
Në këto demonstrata morën pjesë më shumë se një milion gra dhe burra që kërkonin të drejta të barabarta, përfshirë të drejtën për të votuar, për të punuar në kushte të drejta dhe për të mbajtur poste publike.
Këto tubime shënuan një moment historik për lëvizjen ndërkombëtare për të drejtat e grave.
Pse u vendos data 8 mars?
Data që njohim sot lidhet me një ngjarje të rëndësishme në vitin 1917 në Shën Peterburg, Rusi.
Në kulmin e Luftës së Parë Botërore, mijëra gra punëtore dolën në rrugë duke kërkuar “bukë dhe paqe”, duke protestuar kundër urisë, luftës dhe kushteve të rënda të jetesës.
Greva e tyre u përhap shpejt dhe u bë një nga ngjarjet që çoi në shpërthimin e “Revolucionit Rus”.
Disa ditë më vonë, car Nikolla II dha dorëheqjen dhe qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën e votës.
Kjo ngjarje historike bëri që data 8 mars të shndërrohej në një simbol ndërkombëtar të luftës për të drejtat e grave.
Njohja ndërkombëtare
Gjatë dekadave të mëvonshme, Festa Ndërkombëtare e Gruas u përhap në shumë vende të botës, veçanërisht në Evropë dhe në vendet me lëvizje të forta për të drejtat e grave.
Një moment i rëndësishëm erdhi në vitin 1975, kur Kombet e Bashkuara e njohën zyrtarisht 8 Marsin si një ditë ndërkombëtare dhe filloi ta promovojë në nivel global.
Që nga ajo kohë, OKB-ja organizon çdo vit fushata ndërkombëtare që theksojnë nevojën për të avancuar barazinë gjinore dhe për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave.
Si festohet sot në botë?
Sot, Festa Ndërkombëtare e Gruas festohet në mënyra të ndryshme në shumë vende të botës.
Në disa vende ajo shoqërohet me marshime dhe protesta për të drejtat e grave, ndërsa në të tjera është një ditë për të vlerësuar kontributin e grave në familje, shoqëri dhe ekonomi.
Shpesh organizohen konferenca, debate publike, ekspozita artistike dhe fushata ndërgjegjësimi që fokusohen në çështje si barazia në paga, dhuna ndaj grave, pjesëmarrja në politikë dhe mundësitë e barabarta në arsim dhe punësim.
Sfida që vazhdojnë edhe sot
Megjithëse gjatë shekullit të fundit janë arritur përparime të mëdha, organizatat ndërkombëtare theksojnë se barazia e plotë gjinore ende nuk është arritur.
Në shumë vende, gratë vazhdojnë të përballen me diskriminim në tregun e punës, paga më të ulëta, përfaqësim të kufizuar në politikë dhe nivele të larta të dhunës me bazë gjinore.
Për këtë arsye, Festa Ndërkombëtare e Gruas nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një thirrje globale për veprim dhe për ndryshim.
Një ditë reflektimi dhe frymëzimi
Në thelb, 8 Marsi është një ditë për të kujtuar historinë e gjatë të luftës së grave për të drejta dhe dinjitet, por edhe për të frymëzuar brezat e rinj që të vazhdojnë këtë rrugë.
Në mbarë botën, miliona njerëz e përdorin këtë ditë për të nderuar gratë që kanë ndryshuar historinë, për të vlerësuar kontributin e grave në jetën e përditshme dhe për të rikonfirmuar angazhimin për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.
