Nga Rigels Seliman
Më 6 korrik 1943 u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare kundër pushtimit nazist. Sipas dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror dhe dëshmive të pjesëmarrësve, forcat e Batalionit “Tomori”, nën udhëheqjen e Riza Kordhelit, në bashkëpunim me forca nacionaliste dhe me oficerë aleatë, kryesisht britanikë, organizuan një pritë ndaj një autokolone gjermane në zonën e Urës së Kamnikut në fshatin Barmash.
Prita shtrihej përgjatë një segmenti të gjatë rrugor, duke filluar nga Ura e Kamnikut në Barmash dhe duke përfunduar te Ura e Shalësit. Sipas dokumentacionit arkivor, pozicionet u zunë rreth orës 12:00, ndërsa përplasja me forcat naziste nisi rreth orës 18:30 dhe vazhdoi deri afërsisht në orën 20:30.
Nga kjo përballje, sipas të dhënave të cituara, mbetën të vrarë 27 ushtarë të autokolonës naziste, me kombësi të ndryshme, ndër ta gjermanë, kroatë, bullgarë dhe ukrainas.
Pjesëmarrësit në këtë aksion kanë dëshmuar se informacioni fillestar i dhënë forcave partizane ishte se në atë rrugë do të kalonte një autokolonë italiane që lëvizte drejt Greqisë. Megjithatë, objektivi rezultoi të ishte një autokolonë gjermane.
Pas sulmit, forcat naziste ndërmorën një akt të egër hakmarrjeje ndaj popullsisë civile. Ato u kthyen nga rruga dhe dogjën fshatin Borovë, ku masakruan 107 banorë të pafajshëm, përfshirë edhe priftin e fshatit. Kjo mbetet një nga krimet më të rënda të kryera nga pushtuesit nazistë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ngjarja e 6 korrikut 1943 dëshmon se shqiptarët, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, në atë moment historik bashkëpunuan në luftën kundër nazifashizmit. Bashkëveprimi i forcave partizane, nacionaliste dhe i misioneve aleate përfaqëson një faqe të rëndësishme të historisë së rezistencës shqiptare dhe lidhjes së saj me frontin aleat.
Sot, 83 vite më vonë, kjo ngjarje mbetet një thirrje për të ruajtur kujtesën historike, për të nderuar sakrificën e luftëtarëve dhe për të mos harruar kurrë viktimat e pafajshme të Borovës.
Lavdi e përjetshme 107 martirëve të Borovës!
Nderim për të gjithë ata që luftuan kundër nazifashizmit dhe për lirinë e Shqipërisë!
