Serbia ka pësuar tronditjen e madhe nga Perëndimi. “Ditët e ferrit” sapo filluan për presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Sanksionet ndaj Rusisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, dy kushtet e tij të forta që mendonte se nuk do t’i lëshonte për një kohë të gjatë, pritet të marrin fund. Plani i SHBA-BE sapo ka filluar. Ata kanë detyruar dje presidentin serb Aleksandër Vuçiç të pranojë planin franko-gjerman sa i takon dialogut me Kosovën. Vuçiç, ka thënë pas takimit me pesëshen diplomatike se Serbia është e gatshme që me një rezervë të punojë në konceptimin dhe zbatimin e planit të ofruar për Kosovën. Vuçiç ka deklaruar se e pranon planin franko-gjerman, por vetëm me një kusht. Ai ka kërkuar se duhet të krijohet Asocacioni i Komunave serbe. Vetë Vuçiç tha pas takimit se kjo ishte “ndoshta biseda më e vështirë që kemi pasur deri më tani”. Me sa duket përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e kanë shtrydhur Vuçiçin dhe nuk do t’i japin shumë kohë për të menduar dhe zvarritur. “Ne patëm një diskutim të hapur dhe serioz, ajo për të cilën biem dakord është se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje, sepse është vetëm çështje kohe kur dikush do ta shkrijë atë dhe kur individë të papërgjegjshëm do të shkatërrojnë paqen e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç.
Kosova e pavarur
Si hyrje në bisedime, i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor , Manuel Sarrazin , tha se kushti për hyrjen e Serbisë në BE është njohja e pavarësisë së Kosovës. Më pas, këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet , e solli Vuçiçin në tokë, duke thënë se Kosova duhet të krijojë një Bashkësi të Komunave Serbe. Por ai vuri në dukje se kjo nuk çon në federalizimin e Kosovës dhe as se ZSO mund të jetë “një tjetër” Republika Srpska. “Le të jemi të qartë, kjo nuk është një marrëveshje e ngjashme me Republikën Srpska,” tha Chollet. Duhet pranuar se Vuçiç gjithmonë kishte shpresuar se ZSO do të konceptohej si Republika Srpska, pra se edhe Kosova do të “boshnjazohej”. “Pesëshja” diplomatike mesa duket ka ardhur në Beograd me qëllimin që t’i thonë Vuçiçit “merre ose lëre”, por nëse ai “e lë” nuk do të kalojë mirë. Siç theksohet nga disa burime të mirëinformuara në Beograd, Serbia mund të përballet jo vetëm me bllokimin e negociatave të mëtejshme me BE-në, por edhe me pezullimin e fondeve që vijnë nga Brukseli, madje edhe me sanksione ekonomike dhe rikthimin e vizave për qytetarët e saj.
Perëndimi humbet durimin
Përveç kësaj, atij iu tha se do t’i duhej të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe se durimi i Brukselit po mbaronte. Pas takimit rraskapitës, presidenti Vuçiç tha se, siç raportohet nga redaksia e Beogradit N1, “në ditët dhe javët në vijim, ai do të zhvillojë konsultime me anëtarët e qeverisë, Kuvendit dhe të gjitha grupet e rëndësishme shoqërore dhe se jemi të gatshëm të pranojnë konceptin dhe po punojnë për zbatimin e marrëveshjes së propozuar”. Gjithashtu, i dërguari i Uashingtonit për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Gabriel Escobar, tha dje se është i kënaqur me bisedën me presidentin e Serbisë dhe se i pëlqen toni dhe përmbajtja e diskutimit. Ai ka theksuar se nuk ka afat zyrtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se dëshira është që procesi të përfundojë sa më shpejt.
Vuçiç kundër Putinit
Nga ana tjetër, Vuçiç ka lëshuar dhe një deklaratë bombë. Në një intervistë të dhënë për Bloomberg, presidenti tha hapur se Serbia nuk e njeh përvetësimin e territorit ukrainas nga Rusia dhe tha se “më e keqja nuk ka ardhur ende në këtë konflikt”. Dhe pranimi i Vuçiçit se ai “nuk foli me Putinin për muaj të tërë” është dëshmi se marrëdhëniet me Moskën janë të tensionuara, gjë që është disi e pazakontë për liderin serb, i cili komunikoi mjaft shpesh me presidentin rus vitet e fundit. “Ne kemi thënë që në fillim se nuk e mbështesim pushtimin rus. “Për ne, Krimea dhe Donbasi janë Ukrainë dhe do të mbeten të tilla”, tha Vuçiç.
