E premte, 17 Prill, 2026

“41 vite pa zot shtëpie”, Shqipëria mes kujtesës së Enver Hoxhës dhe rrënimit të demokracisë

Share

Nga Rigel Seliman

11 prilli i vitit 1985 shënoi ndarjen nga jeta të Enver Hoxhës (16 tetor 1908- 11 prill 1985), një figurë që për më shumë se katër dekada drejtoi fatet e Shqipërisë. Ajo ditë nuk ishte thjesht një lajm, por një tronditje për një popull të tërë që kishte jetuar nën një sistem të fortë dhe të centralizuar. Për shumëkënd, ai ishte simbol i një shteti të fortë, me rend, disiplinë dhe dinjitet kombëtar. Për të tjerë, ishte një periudhë e vështirë, me kufizime dhe izolim të thellë. Por historia nuk matet vetëm me bardh e zi, ajo është më e ndërlikuar se kaq.

Sot, pas 41 vitesh, Shqipëria duket sikur ka mbetur pa një “zot shtëpie”. Në 35 vitet e demokracisë, vendi është përballur me plagë të reja që nuk i kishte njohur më parë. Pasuria publike është shpërdoruar, prona është grabitur dhe shpresa është rralluar. Shqipëria është vjedhur dhe plaçkitur si kurrë më parë në historinë e saj moderne. Njerëzit kanë ikur masivisht, duke e lënë vendin të zbrazet dita-ditës. Korrupsioni është kthyer në sistem, krimi i organizuar lulëzon, ndërkohë që shtresa e mesme është zhdukur, pasi ka vetëm të varfër dhe të pasur.

Është e vërtetë që regjimi i Enver Hoxhës kishte gabimet dhe padrejtësitë e veta. Por shumëkush sot ndjen se ajo që i është bërë këtij vendi pas viteve 1990 është edhe më e rëndë. Madje dhe pushtuesi s’mund t’i bënte Shqipërisë këtë që i kanë bërë politikqenërit që drejtojnë vendin prej 30 e kusur vitesh. Një shtet që dikur ishte i mbyllur, sot është i hapur, por i dobët. Një shoqëri që dikur kishte frikë, sot ka pasiguri. Dhe një popull që dikur jetonte me pak, sot shpesh jeton pa shpresë.

Në atë kohë, Shqipëria ishte e izoluar, por kishte një drejtim të qartë. Sot, ajo është e hapur, por pa busull. Atëherë shteti ishte i fortë dhe kishte kryefjalë qytetarin, ndërsa sot shteti është rrumpallë dhe qytetari ndihet i braktisur. Atëherë ndërtohej, sot shumëçka rrënohet. Realiteti në Shqipëri është një tokë me gjembë, ku jemi të destinuar të ecim zbathur!

11 prilli mbetet një ditë reflektimi, jo vetëm për një njeri (udhëheqësi Enver Hoxha që iku nga kjo botë dhe mori pas të mirat e mëkatet), por për një epokë të tërë. Një ditë për të kujtuar, për të analizuar dhe për të krahasuar dy kohët të shkuarën dhe të tashmen. Sepse historia nuk është për t’u harruar, por për të mësuar prej saj. Dhe ndoshta, në këtë përvjetor, pyetja më e madhe nuk është kush ishte Enveri, por çfarë u bë Shqipëria pas tij?

Te tjera

Lajme te tjera