Rusia është raportuar 38 herë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, në referimin më të madh të ndodhur ndonjëherë për ndonjë shtet. 38 vende ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë referuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës, Rusinë, që të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një reagim në Twitter thotë se bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm.
‘Shqipëria bashkon forcat me 37 aleatë dhe partnerë për të referuar situatën në Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm.’- shkruan Xhaçka.
Sulmet me raketa janë bërë të zakonshme këto net në Kiev, ku qyteti, kthehet në fushëbetejë mes ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse. Për të shpëtuar nga këto sulme, qytetarët drejtohen poshtë në metro, kur përkohësisht, ndihen të sigurt. Një sulm me raketa në zonën e stacionit hekurudhor në Kiev shkatërroi një termocentral të madh ku Anton Gerashchenko, këshilltari kryesor i Ministrisë së Brendshme tha se një pjesë e Kievit tani mund të ketë probleme me ngrohjen.
Nga ana tjetër Moska ka pranuar për herë të parë se në luftën në Ukrainë janë 498 ushtarë të vrarë rusë dhe 1.597 të plagosur. Ndërkohë, në një mbledhje të jashtëzakonshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar me 141 vota pro rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja kundër agresionit rus. Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia kanë votuar kundër rezolutës, ndërkohë që 35 vende të tjera abstenuan.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për herë të dytë që prej vitit 1982. Kjo mbledhje e posaçme erdhi pasi në Këshillin e Sigurimit nuk u miratua rezoluta e propozuar nga SHBA-ja dhe Shqipërisë kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Rezoluta e miratuar nuk është ligjërisht detyruese si rezolutat e Këshillit të Sigurimit.
Teksa Ukraina ka hyrë në ditën e 7 të luftës, shifrat që vijnë nga të gjitha qytetet në sulm janë të tmerrshme. Mbi 2000 të vdekur civilë raportohen nga autoritetet e Kievit, ndërkohë që sipas OKB janë mbi 836 mijë të shpërngulurit, që tashmë janë refugjatë në vendet kufitare. Kievi dhe qytetet e tjera në Ukrainë po bombardohen në sulme me precizion të lartë, ndërsa ushtria ruse ka rritur ofensivën e saj dhe po i afron forcat drejt kryeqytetit. Ministria ruse e mbrojtjes ruse thotë se trupat e saj tani kanë pushtuar qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, por ky pretendim u mohua nga Ukraina. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për ndihmë nga Perëndimi, teksa thekson se e vetme, Ukraina nuk ja del dot kundër Rusisë. Ukraina vazhdon rezistencën e saj për të mbrojtur çdo qytet të rrethuar dhe të bombarduar. Nga institucionet ndërkombëtare flitet për krizë të madhe humanitare, madje edhe për krime lufte.
Çfarë ka ndodhur sot në Ukrainë
*Një takim i posaçëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka votuar për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës me një votim historik prej 141 votash pro
*Ministria e Mbrojtjes e Moskës thotë se 498 ushtarë rusë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur gjatë pushtimit të Ukrainës.
*Rusia thotë se negociatat mes zyrtarëve të saj dhe një delegacioni ukrainas do të rifillojnë të enjten pranë kufirit polako-bjellorusi, ku ata do të përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim
*Kryebashkiaku i Mariupolit thotë se dhjetëra civilë janë vrarë nga sulmet me raketa dhe artileri ruse në zonat e banuara
*Forcat e Vladimir Putin kanë bombarduar rëndë qytetet Kharkiv në lindje dhe Kherson në jug, ndërsa një kolonë e madhe ushtarake pranë Kievit ka mbetur e palëvizshme.
*OKB thotë se pothuajse 900,000 njerëz kanë ikur tani nga luftimet intensive në vend
Raketa e cila ra mbrëmjen e sotme në Kiev në stacionin hekurudhor kishte si qëllim që të godiste Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës. Raketa u rrëzua nga anti-ajror dhe ra pranë stacionit kryesor hekurudhor të kryeqytetit. Kështu shkruan mediat vendase.
Igor Kolykhaev, kryebashkiaku i Khersonit në Ukrainën jugore, pranoi se qyteti është nën kontrollin rus. Është qyteti i parë i madh që pushtohet nga forcat e dërguara nga Moska, që kur operacioni ushtarak filloi natën mes 23 dhe 24 shkurtit.
Në një mesazh të postuar në Facebook të mërkurën, Igor Kolykhaev shkroi se “kishte vizitorë të armatosur në këshillin e qytetit sot” dhe se ai u kishte thënë trupave “ne nuk kemi Forca të Armatosura të Ukrainës në qytet, vetëm civilë dhe njerëz që duan për të jetuar këtu!”.
Kolykhaev shkroi se forcat e Moskës kanë vendosur një shtetrrethim nga ora 20:00 deri në 06:00 me kohën lokale dhe tha se makinat me ushqime, ilaçe dhe disa furnizime të tjera do të lejohen të hyjnë në qytet.
Ai shtoi se makinat brenda qytetit duhet të lëvizin me shpejtësi “minimale” dhe këmbësorët u ndalohet të lëvizin në grupe prej më shumë se dy personash.
“Deri tani kështu është. Flamuri ukrainas mbi ne. Dhe për të mbajtur të njëjtë, këto kërkesa duhet të plotësohen. Nuk kam asgjë tjetër për të ofruar ende”, tha Kolykhaev.