E premte, 17 Prill, 2026

27 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s kundër genocidit serb, Osmani: Kosova nuk harron! Begaj: Shqipëria mirënjohëse aleatëve që sollën lirinë në Kosovë

Share

 Sot 27 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtuoi nisjen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e aleancave ndërkombëtare.

“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, shkroi ajo.

Në 27-vjetorin e sulmeve, edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit.

“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Millosheviqit—një fushatë që përfundoi me sukses, duke sjellë lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në të gjithë rajonin sot. Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO aleatë”, shkruan Begaj.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se ‘ky ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive’.

Në përvjetorin e 27-të të bombardimeve të NATO-s, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi

” 24 marsi 1999 mbetet një nga datat më të rëndësishme për Kosovën dhe paqen në rajon. Ndërhyrja e NATO-s ndali dhunën dhe spastrimin etnik të pushtuesit serb ndaj popullit shqiptar, duke hapur rrugën për liri dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Sot kujtojmë vendimin historik të Aleancës dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Nderim për të gjithë ata që vuajtën dhe luftuan për liri. Kosova e lirë është dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar dhe e qëndresës së një populli që nuk u dorëzua kurrë” shkroi ai.

Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali postoi gjithashtu një reflektim të fortë për 24 Marsin 1999, duke e cilësuar si një nga ato momente kur bota vendosi të mos rrinte më duarkryq përballë tragjedisë në Kosovë.

Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë” shkroi ajo. 

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.

Te tjera

Lajme te tjera