E marta e 17 marsit shënoi nisjen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout, një nga vendet më të rëndësishme të besimit katolik në vend.
Që në orët e para të mëngjesit, qindra besimtarë nga qytete të ndryshme, por edhe nga trojet shqiptare, iu drejtuan kishës në kodrën e qytetit të Laçit për të kryer lutjet e tyre për shëndet, paqe dhe mbarësi në familje.
Pelegrinët ngjiten drejt kishës me qirinj në duar, duke ndaluar për lutje përgjatë rrugës. Shumë prej tyre tregojnë se kthehen çdo vit, duke e konsideruar këtë pelegrinazh një traditë të rëndësishme shpirtërore dhe një moment reflektimi.
Pelegrinët besojnë se Shna Ndou bën mrekulli, sidomos në shërimin e të sëmurëve, ndaj nuk i ndalojnë lutjet gjatë gjithë rrugëtimit.
Ky ritual fetar, i njohur si “13 të martat e Shna Ndout”, zhvillohet deri më 13 qershor, kur kremtohet Festa e Shna Ndout.
Festa lidhet me figurën e Shën Antonit të Padovës, i njohur si shenjti i mrekullive. Ai ndërroi jetë më 13 qershor të vitit 1231, datë që në traditën kishtare konsiderohet si dita e kalimit në jetën e përjetshme.
