E diel, 16 Gusht, 2026

12 orë bisedime, mediat serbe zbardhin prapaskenat e takimit të Ohrit, ja 5 çështjet e nxehta që u diskutuan në sy të Perëndimit, pse u nervozua Kurti dhe “ditët e zeza” që paralajmëroi Vuçiç për Beogradin

Share

Pas 12 orësh bisedime, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Albin Kurti verbalisht ranë dakord për një aneks për zbatimin e marrëveshjes, e cila krijoi dilema të shumta për negociatat e mëtejshme dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Vuçiç u përpoq t’u përgjigjet këtyre dilemave në konferencë për media, megjithëse la pa sqaruar shumë gjëra. Por prapaskenat i ka zbuluar media serbe “Blic” , me një analizë të gjithë situatës dhe duke u mbështetur tek fjalimi i presidentit serb.

Pse nuk firmosi Vuçiç?

Në fillim të fjalimit të djeshëm për publikun, Vuçiç fillimisht u ndal në faktin se nuk ka nënshkruar asnjë dokument në Ohër. Në analizën që bën “Blic”, lëvizja e tij, me sa duket, ka zemëruar Kurtin, i cili shpresonte të kthehej në Prishtinë me firmën e Vuçiçit. “Pse nuk firmosa? Së pari, sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ajo që ata e quajnë Republika e Kosovës nuk është. Dhe e thashë sot, që askush të mos mendojë se mund të detyrojnë Serbinë. Pikërisht për këtë nuk kemi”, tha Vuçiç. Ish-diplomati Zoran Milivojeviç vlerëson se nuk  ka patur përparim lidhur me çështjet e statusit. Nga ana tjetër, kryetari i Qendrës për rajonalizëm, Aleksandër  Popov, kujton se të dërguarit special amerikan dhe evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, para takimit në Ohër kanë thënë se nuk do të ketë nënshkrim të dokumentit.

Pse është i rëndësishëm Asociacioni?

Edhe pas marrëveshjes në Ohër, kjo mbeti çështje prioritare. Mirëpo, duket se ka ende një dilemë se cili model i ZSO-së do të formohet, edhe pse ai komunitet është përcaktuar me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Siç tha Vuçiç, thelbi i ekzistencës së komunitetit serb në Kosovë është se “serbët në veri dhe në jug të Ibrit duhet të përfshihen në komunitet”. “Ne kemi nevojë për ZSO kudo ku jetojnë serbët, por sigurisht shumë më tepër në jug sesa në veri. Kjo do t’u japë serbëve një kornizë institucionale dhe një kuvend, një president që do të komunikojë edhe me autoritetet qendrore”, sqaroi Vuçiç. “Është shumë e rëndësishme që Serbia të formojë ZSO-në në bazë të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara nga viti 2013 dhe 2015”, shpjegon Milivojeviç. Popov, nga ana tjetër, beson se ZSO është e rëndësishme mbi të gjitha në kuptimin simbolik.

A do të vazhdohet rruga europiane?

Marrëveshja në Ohër i mundësoi Beogradit dhe Prishtinës të qëndrojnë në rrugën evropiane. “Nuk mendoj se do ta përfundojmë për tre apo katër vjet. Mendoj se është e rëndësishme të jemi në rrugën evropiane”, tha Vuçiç. Ish-diplomati Zoran Milivojeviç thotë se marrëveshja në Ohër verifikoi rrugën evropiane të Serbisë. “Rruga jonë evropiane varet vetëm nga ne, jo nga të tjerët”, analizon Milivojeviç. Ndërsa Popov, thotë se nuk duhet pritur që Serbia dhe Kosova pasnesër të anëtarësohen në BE.

A do të ndërlikohen negociatat?

Vuçiç thekson se raundi i dialogut në Ohër ishte dhe u bë edhe më i rëndësishëm nga fuqitë evropiane dhe botërore. “Bisedat nuk janë kurrë të lehta, sepse përfshijnë palët që kanë interesa konfliktuale shumicën e kohës. Do të kemi gjëra më të vështira në të ardhmen”, tha Vuçiç. Milivojeviç kujton se Prishtina ka hyrë në dialog për çështje me rëndësi jetike. “Një nga ato pyetje është çështja e të pagjeturve. Me vazhdimin e negociatave, në agjendë do të jenë temat për të cilat pala tjetër këmbëngul me mbështetjen e BE-së, si hyrja e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Do të shohim deri ku do të shkojmë”, analizon Milivojeviç. Popov thotë se pika më e diskutueshme e propozimit evropian është ajo në të cilën shtrohet hyrja e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

A pritet një marrëveshje përfundimtare këtë vit?

Në prag të bisedimeve në Bruksel dhe Ohër, dëshira e zyrtarëve perëndimorë që gjatë këtij viti të përfundojnë gjithçka që lidhet me planin evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse vitin e ardhshëm BE-ja dhe SHBA-ja presin zgjedhje. Megjithatë, Vuçiç beson se kjo nuk do të ndodhë kaq shpejt. Siç tha ai, procesi i formimit të ZSO-së sapo ka filluar dhe ai “nuk e di” se sa do të zgjasë. “Nuk ka afat. Por ne jemi në rrugën evropiane dhe kemi shfrytëzuar gjithçka për ligje të mira dhe për forcimin e institucioneve demokratike dhe veçanërisht për tërheqjen e investimeve”, tha Vuçiç. Milivojeviç beson gjithashtu se afatet në negociata nuk kanë kuptim. Nga ana tjetër, Popov pohon se nëse këtë vit nuk ka marrëveshje të plotë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, atëherë nuk vlen fare.

Te tjera

Lajme te tjera