Liga e Kampioneve u kthye mbrëmë me duelet e kthimit në fazën e 1/8 e finales. Por pati surpriza që në start. Kështu, ndeshja e mbrëmshme midis Ҫelsit dhe Borusias së Dortmundit nisi me disa minuta vonesë për shkak të trafikut dhe vonesës së hyrjes së ekipeve në impiant. Në fakt, situatën e kanë sqaruar mediat britanike që thonë se autobusi i skuadrës gjermane mbërriti në stadium me 10 minuta vonesë dhe për këtë shkak u shty nisja e ndeshjes me 10 minuta. Ndeshja nisi dhe pati goxha rivalitet e intensitet, por Stërling me golin e tij në minutën e 43-të i dha epërsi skuadrës londineze. Pjesa e parë mbyllet 1-0, por anglezët do të dyfishonin shifrat menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë. Kështu, në minutën e 53-të ishte Havertz që shënoi golin e dytë për blutë e Londrës. Në pas ishte radha e gjermanëve që të tregonin potencën e tyre, duke dominuar në treguesit sportivë, por Ҫelsi u mbrojt mjaft mirë. Ia doli ta mbante rezultatin 2-0 deri në fund dhe siguroi kalimin në çerekfinalen e Champions League. Ndeshja midis Benfikës dhe Klub Bruzhit nuk pati shumë histori, pasi duelin e parë midis tyre e kishin fituar portugezët 2-0. Edhe mbrëmë Benfika shënoi dy gola që në pjesën e parë me anë të Rafa Silvës dhe Ramos. Ky i fundit shënoi golin e tretë në minutën e 57-të. Zhao Mario me penallti shënoi në minutën e 71-të golin e katërt, duke e shndërruar duelin e mbrëmshëm në Champions në një festival golash për ekipin portugez. Në të 78’, ishte Nerez që shënoi golin e pestë. E megjithatë, belgët shënuan një gol nderi në minutën e 88-të. Përfundimisht në çerekfinale shkon Benfika që fitoi 5-1. Ndërkohë, po mbrëmë, në kuadër të Conference League, Lacio e nisi mirë dhe e mbylli keq ndeshjen e saj ndaj holandezëve të AZ Alkmar, në 1/8 e finales. Sfida ishte shumë e luftuar ngatë dyja anët, ndërsa takimi u zhbllokua në minutën e 18-të nga Pedro që pas një asisti nga Zaçagni kaloi italianët në avantazh. Megjithatë holandezët tentuan në disa raste të gjenin barazimin dhe e arritën në minutën e 45-të, me Pavlidis, që gjeti rrjetë falë asistit të Karlson. Në fraksionin e dytë si ekipi i Sarrit edhe ai i Jansen kërkuan golin e fitore, dhe ishte AZ Alkmaar që mundi të shënonte, ku Kerkez gjen rrjetën me ndihmën e njeriut-asist të kësaj ndeshje, Karlson, duke përmbysur sfidën. Skuadrat do të përballen sërish javën e ardhshme, por këtë herë në Holandë, ku edhe do të përcaktohet ekipi që do të arrijë kualifikimin për në raundin tjetër.
Ҫelsi përmbys Dortmundin dhe kualifikohet, Benfika shkatërron Klub Bruzhin dhe kap çerekfinalen
Share
Te tjera
