E mërkurë, 22 Janar, 2025

Zvicra e shqiptarëve mund sërish Serbinë, në 16-she gjen Portugalinë. Brazili humb por e mbyll i pari

Share

Zvicra dhe Brazili kualifikohen nga grupi G, duke mos i dhënë asnjë shans Serbisë. Në fakt, Zvicra e nisi mjaft mirë ndeshjen e mbrëmshme me serbët, ku shqiptari Xherdan Shaqiri shënoi në minutën e 20-të pas një përpjekje të gjatë nga e djathta në të majtë të sulmit e në fund i finalizuar me gjuajtjen me të majtën e Shaqirit. Sfera, pasi devijohet nga një mbrojtës, përfundon në rrjetë. Por epërsia dhe festa e zviceranëve do të zgjaste fare pak, pasi Mitroviç shënoi golin e  barazimit në minutën e 26-të. Entuziazmi i golit të barazimit i nxiti serbët të ngulmonin më shumë në sulm dhe ia dolën që të shënonin golin e dytë në minutën e 35-të, pikërisht me anë të Vlahoviç. Por dy minuta para fundit, një aksion i bukur i zviceranëve nxjerr zbuluar Embolo pranë zonës së vogël të portierit kundërshtar dhe ai shënon golin e barazimit. Pjesa e parë mbyllet kështu 2-2. Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 48-të, Freuler shfrytëzon si duhet pasimin e Vargas dhe shënon golin e tretë për zviceranët. Serbët përpiqen të shtojnë forcat në sulm e të barazojnë, duke bërë edhe zëvendësime, por forca e tyre nuk korrespondon me idetë në fushë, duke mos përbërë mjaftueshëm rrezik për përfaqësuesen e Zvicrës. Helvetët, të udhëhequr në fushë nga kapiteni Granit Xhaka, ia dolën ta menaxhonin si duhet epërsinë e ta fitonin takimin me rezultatin 3-2.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e mbrëmjes në grupin G, dhuroi një tjetër befasi, pasi Brazili pësoi gol nga Kameruni në minutat e fundit të ndeshjes, duke e komplikuar së tepërmi pozitën e tij. Në fakt, gjatë gjithë ndeshjes nuk pati episode që mund të vinin në vështirësi Brazilin, i cili nuk e kishte marrë seriozisht këtë duel. Në minutën e 3-të shtesë të dhënë nga gjyqtarët, Kameruni shënoi gol me anë të Abubakar, duke shpresuar në ndonjë surprizë të Serbisë. Por asgjë për tu shënuar. Kameruni fitoi 1-0 dhe shkoi në 4 pikë, por vetëm në vend të tretë, kurse Brazili me 6 pikë ruajti vendin e parë. Zvicra kualifikohet si vend i dytë. Në 16-she, Brazili do të gjejë Korenë e Jugut, pra teorikisht ka një duel relativisht të lehtë e mund të shkojë më tej, por dueli më interesant në 16-she do të jetë për Zvicrën që do të përplaset me Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Ndërkohë, ditën e sotme nisin ndeshjet e para të fazës së 1/8 të finales, ku do të kemi dy takime. Holanda do të përballet me SHBA-në në orën 16:00, kurse në orën 8 të darkës me orën shqiptare do të luajë Argjentina e Leo Mesit përballë Australisë. Sikurse ka ndodhur deri tani në këtë Botëror, surprizat nuk përjashtohen, pavarësisht se Argjentina dhe Holanda janë favorite.

Te tjera

Lajme te tjera