E diel, 26 Korrik, 2026

Zv/ministrja Tana Kika: Do të ndërtohen 7 laboratorë të rinj për të forcuar sigurinë ushqimore

Share

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit teknik Shqipëri–Gjermani për vitin 2025, që synon modernizimin e sistemit të kontrollit zyrtar dhe rritjen e sigurisë ushqimore në vend.

Në fokus të marrëveshjes është edhe financimi për ndërtimin e shtatë laboratorëve të rinj, të cilët do të forcojnë ndjeshëm kapacitetet e analizave dhe inspektimeve në sektorin bujqësor.

Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Tana Kika bëri të ditur se projekti parashikon modernizimin e procedurave të inspektimit, rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe zhvillimin e sistemeve të kontrollit të bazuara në analizën e riskut. Ajo theksoi gjithashtu se do të trajnohen inspektorë, veterinerë dhe specialistë të laboratorëve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian.

“Do të modernizohen procedurat e kontrollit zyrtar, do të forcohen kapacitetet laboratorike, do të zhvillohen sisteme moderne të inspektimit të bazuara në analizën e rrezikut. Do të trajnohen inspektorë, veterinerë, specialistë të laboratorit, administrata publike sipas praktikave më të mira të vendeve anëtare. Një nga projektet më të rëndësishme është investimi infrastrukturor i mbështetur nga Banka Botërore, që parashikon ndërtimin e shtatë laboratorëve”, tha Tana.

Sipas saj, një nga laboratorët e rinj do të ngrihet në qarkun e Fierit dhe do të pajiset me teknologji bashkëkohore, përfshirë edhe kontrollin e pesticideve, duke kontribuar në rritjen e sigurisë së produkteve ushqimore dhe forcimin e zinxhirit të kontrollit në vend.

Te tjera

Lajme te tjera