Nga Rigels Seliman
Protesta që nisi me pretendimin se do të bashkonte qytetarët, po tregon çdo ditë e më shumë mungesë serioziteti dhe vizioni. Takimi i quajtur me pompozitet “Asamble qytetare” rezultoi një mbledhje me pjesëmarrje të vakët dhe pa figurat kryesore që kanë qenë pjesë e protestës. Në vend të ideve konkrete për zgjidhjen e krizës, u panë përplasje, debate dhe konfuzion. Askush nuk ishte në gjendje të shpjegonte se si do të arrihej objektivi i shpallur për rrëzimin e qeverisë dhe klasës politike aktuale (establishmenti). Në vend të unitetit, u shfaqën ndasi dhe rivalitete të brendshme. Madje pati edhe propozime absurde për bojkot të punës dhe për nisjen e protestave që në orët e para të mëngjesit.
Edhe në të ashtuquajturin “Kuvend Kombëtar” nuk munguan përplasjet mes pjesëmarrësve. Debatet u shoqëruan me tensione dhe gara për protagonizëm, duke lënë në plan të dytë qëllimin për të cilin ishte thirrur takimi. Ironia është e madhe: zihen se kush do të marrë mikrofonin dhe do të dominojë diskutimin, ndërsa pretendojnë se nesër do të qeverisin një vend të tërë. Nëse nuk arrijnë të menaxhojnë një mbledhje mes tyre, si mund të besohet se do të menaxhojnë shtetin?
Por sikur të mos mjaftonin përplasjet në “Asamble”, fundi i ditës solli edhe një tjetër episod që dëshmoi degradimin e protestës. Gjatë tubimit të mbrëmjes së të shtunës, një i ri mori mikrofonin dhe përdori një gjuhë banale e vulgare, të papërshtatshme për një protestë ku ishin të pranishëm edhe gra e fëmijë. Në vend të një mesazhi qytetar, publiku dëgjoi thirrje që nuk kishin asnjë lidhje me kauzën e shpallur. “Shqipëria është e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve. Ne duam të hamë, të pimë dhe të q*më”, tha protestuesi.
Organizatorët u përpoqën të shmangnin përgjegjësinë duke e cilësuar autorin si “patronazhist”, por kjo nuk e ndryshon faktin se episodi ndodhi në protestën e tyre. Kështu që një lëvizje që nuk kontrollon dot mikrofonin e saj, vështirë se mund të bindë qytetarët se është gati të administrojë institucione shtetërore.
Shpresa nuk ndërtohet mbi kaos, sharje dhe grindje. Një protestë që konsumon energjinë duke u përçarë brenda vetes humbet besueshmërinë dhe mbështetjen qytetare. Qytetarët presin alternativë, program dhe përgjegjësi, jo spektakël konfliktesh. Sepse kush zihet sot për një mikrofon, nesër mund të zihet për pushtetin. Dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një zëvendësim të kaosit me një kaos edhe më të madh. Turp për ata që e shndërruan një protestë në një arenë protagonizmi dhe banaliteti.
