E hënë, 20 Janar, 2025

Zbardhet vendimi i plotë i qeverisë, ja si Pallati i Brigadave do të hapet për turizëm dhe qytetarët, menaxhimi i kalon një fondacioni për 40 vite. Çfarë është Pallati i Brigadave? Si u ndërtua kompleksi mbretëror, ja historiku dhe detajet

Share

Zbardhet plani i Qeverisë për t’i dhënë privatit Pallatin e Brigadave për 40 vite, projekt ky që ka të bëjë me vënien e kësaj godine atraktive në dispozicion të turistëve. Ajo do të ndërhyjë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës për ta bërë të aksesueshëm për të gjithë vizitorët. Sipas vendimit të qeverisë, të botuar në Fletoren Zyrtare, Pallati i Brigadave do të mbetet në pronësinë e saj, ndërkohë që Ministria e Kulturës do të mundësojë zbatimin e programit të zhvillimit. Referuar vendimit, Ministria e Kulturës do të kryejë disa rikonstruktime në pjesë të ndryshme të pallatit. Ky model që do të zbatohet te Pallati i Brigadave është projektuar në bazën e disa modeleve menaxhimi në botë si Palazzo Pitti, Firence, Itali; Palazzo Strozzi, Firence, Itali; Versaja, Paris, Francë; Residenz München, Mynih, Gjermani. Përmes vendimit theksohet se ky menaxhim do të bëhet në partneritet me një periudhë prej 20 vitesh, ku pala e interesuar duhet të ketë financimin e duhur dhe përvojën për rijetëzimin e këtij Ansambli. Po ashtu, në vendim specifikohet se “një konsideratë duhet pasur për mbikëqyrjen e aktiviteteve nga një bord profesionistësh të fushës, që kontrollojnë dhe garantojnë që të ruhen vlerat e monumentit”. Ky bord do të ketë në përbërjen e tij specialistë të menaxhimit, jurist, botanistë, historian dhe restauratorë të arkitekturës dhe do të shërbejë si një këshillues për menaxhimin. Ndërkohë, pritet që një plan i tillë të ndryshojë edhe tarifat për lejimin dhe mundësimin e zhvillimit të aktiviteteve kulturore në mjediset e brendshme dhe të jashtme. Ansambli i ri do të ketë edhe funksion akomodues për personalitete shqiptare dhe të huaja, të cilët vijnë për vizitë në vendin tonë. Në vendim thuhet se ky menaxhim nuk do të cenojë vlerat historike dhe arkitekturore të monumentit, por do ta kthejë në një pikë tërheqëse turistike.

Pallati, vlera arkitektonike dhe artistike

  • Restaurim, Rilevim, katalogim dhe vlerësim i të gjithë elementëve arkitektonikë, të   mobilimit dhe dizajnit të brendshëm, skulpturave, bazorelieveve e artefakteve të tjerë artistikë.
  • Ruajtja e identitetit dhe autenticitetit  të  arkitekturës, dizajnit, artit dhe teknologjive   inxhinjerike të kohës, nëpërmjet   aplikimit të duhur të praktikave  më  të  mira,  në  mënyrë që vlerat e tij të qenësishme dhe shkencore, të ofrojnë një burim të qëndrueshëm për:

-Edukimin e brezave dhe atraksion për turizmin.

-Të vijojë të jetë një vend ekskluziv për ceremonitë publike shtetërore kombëtare dhe       ndërkombëtare.

  • Rritja e potencialit turistik, kulturor dhe edukativ të Ansamblit,nëpërmjet:

-Një programi të vazhdueshëm konservimi të vlerave ekzistuese.

-Adaptimit  të një serie funksionesh ekzistuese dhe të reja kulturore, rekreative dhe shërbimi, të lidhura ngushtë me mundësitë që ofron Kompleksi, pa e dëmtuar në asnjë moment atë.

Parku, vlerat peizazhistike dhe artistike

  • Restaurimi, Rilevimi, katalogimi dhe vlerësimi i të gjitha elementëve të  peizazhit  të  Parkut,  të  mobilimit urban të tij, skulpturave dhe elementëve të tjerë arkitektonikë.
  • Hartimi dhe zbatimi i një programi të vazhdueshëm të monitorimit dhe mirëmbajtjes ekologjike të Parkut të Vilës dhe vënia në dispozicion të publikut të gjerë.
  • Evidentimi i itinerareve të lidhura me:

-Artefaktet artistike.

-Elementët historikë si dhe kombinimet e parqeve gjeometrike.

-Bio-diversitetin e Parkut.

Turizmi dhe infrastruktura 

  • Promovimi i formave të qëndrueshme të turizmit me bazë komunitare,që  janë  të  ndjeshme  ndaj  mjedisit,  të  realizueshme  në  aspektin ekonomik dhe të drejta në aspektin social.
  • Garantimi që të gjitha punimet ndërtimore dhe operacionet brenda Ansamblit Historik të  Pallatit të Brigadave në të ardhmen të lehtësojnë shërbimet ndaj publikut e të marrin certifikimin e duhur, për garantimin e rruajtjes së vlerave autentike të Ansamblit.

Influenca në komunitet, edukimi dhe trajnimi

  • Nxitja e të kuptuarit, vlerësimit dhe kujdesit që duhet të tregojnë komunitetet vendase për vlerat e veçanta arkitektonike, historike, artistike dhe ato të peizazhit të Ansamblit Historik të Pallatit të Brigadave.
  • Transformimi i Ansamblit Historik të Pallatit të Brigadave në një mjedis që nxit edukimin dhe të nxënit për të gjitha moshat dhe ofron përvoja reale  për të nxënit e thelluar, mbi  një  shumëllojshmëri  temash edhe për profesionistë të fushave të lidhura me të.

Drejtimi dhe  Menaxhimi 

  • Krijimi i një sistemi efikas vetëfinancimi nëpërmjet krijimit të aktiviteteve dhe  funksioneve të reja në pallat.
  • Ruajtja e funksionit zyrtar dhe të pazëvendësueshëm  në  Shqipëri  si një vend për pritje dhe ceremoni shtetërore.
  • Zhvillimi i vizitueshmërisë së tij, duke u shndërruar në destinacion elitar, i krahasueshëm me Pallatet Mbretërore në kryeqytete të ngjashme. Për t’u arritur ky qëllim, AHPB-ja ka nevojë të restaurohet, të përgatisë të paktën një itinerar të brendshëm të pallatit, itinerare të kopshteve dhe të ketë një sallë për ekspozita tematike. Detaje të mëtejshme do të paraqiten se si do të arrihet kjo pikë e rijetëzimit.
  • Lejimi dhe mundësimi i  zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe rikrijuese si në mjediset  e  brendshme  edhe  në  ato  të  jashtme,  kundrejt  tarifave të rishikuara  dhe  të  miratuara,  të  cilat  mund  të  organizohen  nga organizata të  tjera  qeveritare,  ente  publike  dhe  private,  organizata  jo-fitimprurëse,kompani  ose  individë. Numri  i  pjesëmarrësve  dhe  llojet  e  aktiviteteve,duhet të jenë të tilla që të mos prekin integritetin fizik të AHPB-së, florën e   kopshteve   të   AHPB-së   dhe   sidomos   imazhin   e   AHPB-së si një destinacion elitar. Të tilla aktivitete mund të jenë, ekspozita, simpoziume,aktivitete   kulturore   (shfaqje   teatrale   me   një numër të përcaktuar pjesëmarrësish), xhirime të filmave artistikë, sfilata apo dhe koncerte.
  • Mundësimi  dhe  lejimi  i  organizimit  të  aktiviteteve  edukative-  didaktike,kundrejt  tarifave  të  rishikuara  dhe  të  miratuara  (mund  të  ketë  dhe  raste shumë të rralla që përjashtohen nga tarifimi), të tilla si studime të AHPB-së  dhe  kopshtit  të  tij,  kërkime  shkencore  të  cilat  rrisin  njohuritë  mbi AHPB-në etj.
  • Mundësimi dhe lejimi i akomodimit për  një  periudhë të shkurtër disaditore  të  personaliteteve,  shqiptarë apo të huaj të ftuar nga Qeveria Shqiptare apo nga institucione të  rëndësishme  shtetërore.  Duke  patur parasysh që mikpritja është një shërbim që ka nevojë për shumë  kushte specifike, ky nuk është një rekomandim parësor për rijetëzimin e AHPB-së.
  • Krijimi i funksioneve të reja në pallat, (vizita të organizuara në grupe, sallë ekspozite, sallë   mbledhjeje, akomodim personalitetesh, strukturë didaktike në funksion  të eksperiencave  konservuese dhe restauruese), do të jenë burim të ardhurash për menaxhimin  e  pallatit  dhe  do të  ndikojnë në rritjen e të ardhurave që do të sigurojnë konservimin dhe mirëmbajtjen e tij.
  • Krijimi i një sistemi menaxhimi bashkëkohor nëpërmjet  një aplikacioni softëare, në të cilin  të  përfshihen të gjithë elementet e nevojshëm, duke filluar nga shitja  e  biletave, kontrolli  hyrje  daljeve, informacioni për turistët dhe stafin, etj.
  • Krijimi i një databaze, arkivë dokumentash, që të dokumentojë dhe menaxhojë pasurinë  e  vlerave arkitektonike, artistike, mjedisore etj, të Pallatit  dhe Parkut të  tij. (Museum  Integrated  Information Management Systems).

Çfarë është Pallati i Brigadave? Si u ndërtua kompleksi mbretëror, ja historiku dhe detajet

Pallati i Brigadave është një sit i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Tiranës, fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-40. Por historia e tij lidhet ngushtë me kërkesën e Ahmet Zogut për të pasur një Pallat dedikuar atij dhe familjes së tij. Ndaj që në Planin e Parë të zgjerimit të Tiranës në vitet 1925-1927, të hartuar nga arkitekti italian Armando Brasini, kur Zogu ishte president, hidhet ideja e vendosjes së një Pallati Presidencial në fund të Bulevardit të Ri, i cili do të mbushte ballinën fundore të këtij Bulevardi, pra aty ku sot ndodhet Universiteti Politeknik i Tiranës. Kompleksi mbretëror përbehej nga 3 ndërtesa: Pallati Mbretëror, Vila e Princeshave dhe Vila Mbretërore. Kompleksi Mbretëror në volumetri dhe ne gjuhë arkitektonike ndryshonte nga ai i paraqitur më parë nga Brasini, nga i cili u mbajt vetëm ideja e pozicionit të këtij kompleksi. Gjuha arkitektonike e përdorur ishte e ngjashme me atë të ministrive ne sheshin “Skënderbej”, pra një gjuhë neoklasike eklektike. Varanti i fundit i paraqitur prej tij mban vitin 1936. Për shkak të financave të mëdha që kërkonte ky kompleks, Ahmet Zogu vendosi të ndërtojë fillimisht Vilën Mbretërore, pra atë që ne trashëgojmë. Zogu e sposton kompleksin mbretëror në fillim të vitit 1937 në majën e kodrës së Mulletit, me 1.2 km ne vijë ajrore në krahun lindor nga pozicioni ku Florestano Di Fausto e pat pozicionuar. Këtë herë Zogu ja beson projektin e tij Giulio Bertë, një tjetër arkitekt Italian prezent në Shqipëri, i cili në atë moment ishte eksponenti teknik më i lartë në Shqipëri në fushën e ndërtimit.

Te tjera

Lajme te tjera