E shtunë, 18 Janar, 2025

Yuri Kim shkon në malet e Dibrës: Mësova si bënin jufkat dhe vizitova vendlindjen e Skënderbeut

Share

Diplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar këtë fundjavë një vizitë në qarkun e Dibrës, për të parë sesi USAID mbështet biznesin dhe turizmin në Shqipëri.

Yuri Kim ka shpërndarë disa foto në Instagram nga takimet e zhvilluar në Dibër, teksa shprehet se USAID po mbështet një sërë biznesesh në këtë zonë, duke kontribuar në zhvillimin turistik të Dibrës.

Shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri është mirëpritur nga pronarë të bujtinave të ngritura në këtë zonë si dhe guida turistike duke eksploruar kulturën dhe historinë e kësaj zone.

‘Javën e kaluar, vizitova qarkun e bukur të Dibrës për të parë sesi USAID mbështet biznesin dhe turizmin në Shqipëri. Në partneritet me Albanianlocalcapacity & @Swedeninalbania, SHBA ka trajnuar guida turistike lokale, duke mbështetur bujtina dhe duke shënuar shtigje hiking. Së bashku, ne kemi ndihmuar tashmë fshatrat si Rabdisht dhe Vakuf të tërheqin më shumë turistë nga Shqipëria dhe përreth botës. 

Është e mrekullueshme të shohësh se si mbështetja e SHBA ka pasur ndikim të qëndrueshëm në sektorin e turizmit të Dibrës. Ishte kënaqësi të takoja pronarët e bujtinave dhe guidat turistike, të mësoja se si bënin jufkën e famshme të Dibrës dhe të eksploroja më shumë kulturën dhe historinë e pasur të veriut të mrekullueshëm të Shqipërisë. Më vjen mirë që pata rastin të vizitoj Sinë, vendlindjen e të madhit Gjergj.’- shkruan Yuri Kim.

Te tjera

Lajme te tjera