Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim u ka drejtuar nje mesazh gazetarëve, referuar rasteve kur kryeministri Edi Rama refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të tyre, madje i dërgon ata për riedukim. Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Laboratorit të Gazetarisë Investiguese, Kim u shpreh se është detyrë e gazetarëve që të bëjnë pyetje. Sipas Kim, çdo zyrtar duhet t’i përgjigjet gazetarëve, edhe nëse nuk i pëlqen pyetja e drejtuar, ndërsa shtoi se duhet ta përsërisnin pyetjen derisa të merrnin një përgjigje. Pra indirekt, ambasadorja Kim ka fshikulluar kryeministrin Rama, i cili herë pas here ka pasur fërkime me gazetarët, duke ja bërë të qartë se gazetarët janë të të drejtën e tyre të bëjnë pyetje dhe kërkojnë shpjegime. “Mirëmëngjes të gjithëve. Urime për arritjet tuaja në programin e Laboratorit të Gazetarisë Investiguese. Shpresoj se keni mësuar se si të jeni vëzhgues më të mirë dhe shpresoj t’ju shoh në terren duke zbatuar ato që keni mësuar – duke i kërkuar llogari autoriteteve qeveritare, duke hedhur dritë mbi informacione që disa njerëz përpiqen t’i fshehin dhe duke ofruar transparencë. Ju nxis që të vazhdoni të mësoni, por edhe të edukoni të tjerët, përfshirë edhe zyrtarët që intervistoni, mbi dy gjëra të rëndësishme: se është detyra juaj të bëni pyetje të vështira dhe se është detyra e tyre të japin përgjigje. Është detyra juaj profesionale dhe një shërbim publik të bëni pyetje. Është detyra e zyrtarëve, duan apo nuk duan ata, që t’iu përgjigjen pyetjeve. Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish. Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen. Shpresoj që të vazhdoni të punoni fort për të ndriçuar, edukuar dhe për të qenë rojtarët e së vërtetës që i duhen demokracisë së Shqipërisë”, deklaroi ambasadorja Kim.
Ambasadorja citon presidentin Biden: Shtypi është rojtari i së vërtetës
Më tej gjatë fjalës së saj ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka vlerësuar dje median, teksa ka cituara fjalë të presidentit amerikan, Joe Biden. “Presidenti Biden tha së fundmi në Ditën e Lirisë së Shtypit se “shtypi i lirë nuk është armiku i njerëzve. Përkundrazi, kur atë e nxit puna për të ndriçuar dhe edukuar, dhe jo për të ndjellur zemëratë apo argëtuar, shtypi është rojtari i së vërtetës”, u shpreh ambasadorja Kim.
Diplomatja Kim takon anëtarët e KLP
Ndërkohë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim u ka dërguar edhe një mesazh gjithë politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar. Ambasadorja Yuri Kim zhvilloi dje një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Prokurorisë, ndërsa u kërkoj të përforcojnë mbështetjen e fortë për misionin e tyre, që është forcimi i sistemit gjyqësor përmes përzgjedhjes së prokurorëve që janë kompetentë dhe kanë integritet, vlerësimi i prokurorëve dhe zbatimi i standardeve të larta. Në një postim në rrjetet sociale, Kim theksoi se shpreson që KLP ta bëjë punën e tij në një mënyrë që të mos ketë ndikime të panevojshme, të fitojë besimin e publikut dhe të japë rezultate reale për reformën në drejtësi. “Le të vazhdojmë të ecim përpara së bashku për të zbatuar reformat që shqiptarët meritojnë dhe që janë të nevojshme për Shqipërinë në BE”, nënvizoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.