E hënë, 13 Janar, 2025

Yuri Kim ia bën të qartë Berishës se SHBA do vijojë të “ndërhyjë” në gjyqësor për të ndalur kapjen e sistemit nga ai dhe shpura e tij

Share

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim i është përgjigjur dje ish-kryeministrit Sali Berisha pas akuzave të këtij të fundit, se ajo po ndërhyn tek drejtësia. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Kim theksoi se nëse ndërhyrja në procesin gjyqësor, nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, atëherë ajo shtoi, se Shtetet Bashkuara të Amerikës do të vijojnë që të bëjë pikërisht këtë gjë. Sipas Yuri Kim, SHBA do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi, sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtarë të SHBA-së.

“Nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, shkruan Kim. Në një deklaratë për mediat, Berisha ripërsëriti sot akuzën ndaj ambasadore amerikane, Yuri Kim se po ndërhyn në gjykatë lidhur me çështjen gjyqësore në të cilën është Partia Demokratike. Berisha këtë herë e tha me emër duke iu referuar ambasadores si guvernatore. Por ish-kryeministri nuk e la me aq. Ai e ka risulmuar ambasadoren duke shkruar se me deklaratën e saj të fundit ka pranuar hapur, faktin se ajo po ndërhynë në sistemin e drejtësisë Shqiptare. Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Berisha i ka bërë thirrje DASH të ndalojë menjëherë Yuri Kim. Pikërisht këtë thirrje, ka ironizuar deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi në rrjetet sociale si tepër “interesante”. “Lajme nga “opozita” e vërtetë/Interesante shume: I bëj thirrje Departamentit të Shtetit”, shkruan Bardhi.

Kim reagon për incidentin mes Berishës dhe Alibeajt

Por ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, i ka dhënë “shuplakë” ish-kryeministrit Sali Berisha edhe dy ditë më parë, teksa ka reaguar ashpër pas gjestit të ish-kreut të PS kundrejt Enkelejd Alibeajt. Yuri Kim ka paralajmëruar Berishën që akte të tilla të mos ndodhin më, por nuk ka përmendur se ç’ndodh nëse paralajmërimi i saj nuk merret për bazë nga lideri historik i Partisë Demokratike. Por nuk u ndal me kaq, pasi Kim shtoi se sulmet e dhunshme ndaj godinave, duke nënkuptuar kështu përplasjen mes demokratëve më 8 janar për selinë blu, madje merr përsipër që të vlerësojë nëse Alibeaj kishte të drejtë apo gabim që t’i mohonte fjalën Berishës. “Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin të shkuarës. Të mos përsëritet”, shkruan ambasadorja Kim. Kjo nuk është hera e parë që Kim del kundër Berishës që prej kohës kur ai u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në çdo dalje, Kim ka sulmuar liderin historik të demokratëve, por edhe pse i janë kërkuar, deri më tani nuk ka paraqitur prova për akuzat e ngritura ndaj tij. Ndërkohë edhe Berisha nuk është frenuar me ofendimet ndaj saj duke e cilësuar si “guvernatore”. Gjithashtu ka nisur një gjyq në Francë me sekretarin e DASH, Antony Blinken./Rigels Seliman/

Te tjera

Lajme te tjera