E martë, 10 Nëntor, 2026

Yuri Kim flet për investimet e SHBA në Shqipëri, tregon 5 rregullat e arta që do instalojnë një klimë të qëndrueshme biznesi dhe do luftojnë korrupsionin: Që nga viti 2019, investimet e amerikane në Shqipëri janë rritur me 80%

Share

Nga Rigels Seliman

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim ka reaguar këtë fundjavë, pas vizitës së përfaqësuesit Special për Çështjet Tregtare dhe të biznesit në Departamentin e Shtetit, Dilaëar Syed në Tiranë. Përmes një postimi në rrjete sociale, zonja Kim ka vlerësuar rritjen e investimeve të SHBA në Shqipëri, duke theksuar se eksportet që nga 2019 janë trefishuar. Madje diplomatja ka shpërndarë një status të zyrtarit të Departamentit Amerikan të shtetit, i cili zhvilloi disa takime zyrtare në Shqipëri, duke garantuar se investimet e SHBA në vendin tonë do të rriten, teksa mes të tjerash tregon  5 rregullat e arta që do instalojnë një klimë të qëndrueshme biznesi dhe do luftojnë korrupsionin në vend.“Që nga viti 2019, investimet e SHBA në Shqipëri janë rritur me 80%, tregtia është dyfishuar dhe eksportet janë trefishuar. Por ne mund të bëjmë më mirë. Rregulla të qarta, racionale, të qëndrueshme + gjykata të pastra + qartësi mbi të drejtat pronësore do të tërheqin SHBA në investime më të mëdha. Kjo është lidhja mes reformës në drejtësi dhe prosperitetit”, shkruan Kim.

Korrupsioni shtrembëron investimet

Ndërkohë pak javë më parë përmes një editoriali me titull: “Korrupsioni gërryen potencialin e Shqipërisë”, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim thekson mes të tjerash se ky fenomen, sipas saj, përbën një cënueshmëri të sigurisë kombëtare, kufizon dhe shtrembëron investimet, si dhe minon demokracinë.“Shtetet e Bashkuara e mbështesin luftën kundër korrupsionit me veprime të qarta. Ne financojmë reforma në drejtësi, përfshi me BE-në dhe partnerë të tjerë. Mbështesim median investigative dhe organizatat e shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin. Përdorim shpalljet non grata dhe sanksionet ndaj aktorëve të korruptuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për shembull, Presidenti Biden nënshkroi në qershor 2021 një Urdhër Ekzekutiv të ri, i cili përqendrohet te krijimi i kostove për ata që përfshihen në veprimtari që minojnë institucionet demokratike dhe destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, përfshi në Shqipëri. Ky Urdhër Ekzekutiv është përdorur tashmë për të sanksionuar aktorë të korruptuar. Korrupsioni përbën një cënueshmëri të sigurisë kombëtare, kufizon dhe shtrembëron investimet, si dhe minon demokracinë”, u shpreh ajo.

SHBA nxit SPAK të luftojë korrupsionin

Më tej zonja Kim në emër të SHBA nxit institucionet shqiptare të drejtësisë të luftojnë korrupsionin. “I nxisim institucionet e drejtësisë të Shqipërisë që të bashkohen me ne për ta ngritur anti-korrupsionin si çështje qendrore – për të bërë të qartë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që askush nuk është mbi ligjin, që ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit, që populli Shqiptar mund të mbështetet tek institucionet shqiptare për të dhënë drejtësi, dhe që cilido ka një mundësi të drejtë dhe të barabartë për sukses në Shqipëri. Institucionet shqiptare po bëjnë përparim kundër korrupsionit por ka shumë më tepër për të bërë. Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë dhe i vështirë, por suksesi është i mundur. Asnjë vend nuk ka imunitet. Secili vend, përfshi Shtetet e Bashkuara, e lufton korrupsionin çdo ditë. Sfida e Shqipërisë nuk është aspak unike – as nuk është e pakapërcyeshme”, nënvizoi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Te tjera

Lajme te tjera