E mërkurë, 22 Janar, 2025

Xhafaj kërcënon gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar nga vetingu, kërkon ndjekje penale nga SPAK, Majko thirrje të arrestohen politikanët e korruptuar

Share

Mungesa e hetimeve në radhët e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të akuzuar si të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale, ka bërë që deputetët e Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko të ngrejnë zërin dhe shigjetojnë institucionet e drejtësisë të dala nga reforma në drejtësi. Fillimisht ka qenë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili është treguar dje i ashpër teksa ka folur për organet e reja të drejtësisë, duke u ndalur veçanërisht te SPAK dhe i ka bërë thirrje që të fillojë ndjekjen penale për gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar nga vetingu. Xhafaj u shpreh se bashkohet me ata që kanë më shumë pritshmëri te SPAK, sa i përket goditjes së grupeve kriminale dhe korrupsionit. “Bashkohem me ata që kanë më shumë pritshmëri tek organet e drejtësisë, e veçanërisht te SPAK, sa i përket goditjes së grupeve kriminale dhe korrupsionit. Nuk duhet të rendin pas statistikave, por duhet të fokusohen te çështjet kryesore. Janë çështje “ të vjetra” në kohë dhe të reja, por të gjitha me ndjeshmëri të madhe. Për disa të tjerë të flakur nga sistemi për pasuri marramendëse, deri në miliona euro, shkojnë në Durrës, Elbasan e Tiranë, me shpresën se mund të gjendet aty ndonjë prokuror që mund të shërbejë si lavatriçe. Duhet të parandalojmë këto dukuri. Ne këtu dhe gjerësisht qytetarët me shumë të drejtë kërkojmë rezultate ndaj njerëzve të drejtësisë. Disa këtu nuk reshtin duke qarë për rikthimin e asaj drejtësie, që përdornin. Duhet hequr dorë nga gjuha denigruese dhe presioni. Roli i Kuvendit mbetet thelbësor në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kuvendi ka hapësirat e duhura ligjore për ta ushtruar këtë përgjegjësi. Ju pëlqen apo jo, pa mbështetjen e partnerëve, pa luftën e tyre ndaj demonëve të vjetër, nuk mund të kishim Reformë në Drejtësi. SHBA u bë barrikadë për ata që drejtësinë e kanë parë si mbështetje të tyre”, deklaroi Xhafaj.

Majko: Reforma në Drejtësi ka sot kundërshtar populizmit

Nga ana tjetër edhe ish-kryeministri Pandeli Majko u shpreh dje në Kuvend se Reforma në Drejtësi ka sot kundërshtar populizmit. Teksa diskutohej pr/rezolutat e institucioneve të drejtësisë, deputeti socialist u shpreh se nëse pranë tyre troket rebelizmi i populizmit, sistemi do të bjerë. Madje Majko theksoi më tej se ka ardhur koha që prangat të tringëlloj në dyert e politikës. “Ecuria e reformës nuk ka të bëjë vetëm me njerëz që burgos, por me ata që u jep drejtësi. Sot Shqipëria e vitit 2022 ka mbledhur mjaftueshëm probleme. Aktualisht Drejtësia krahas krimit dhe korrupsionit ka edhe një kundërshtar tjetër: populizmi dhe qëllimi i pashpallur i tij për çmontimin e shtetit ligjor. Populizmi di ta përdorë të vërtetën për të gënjyer. Vendosja e drejtësisë në Shqipëri është përballur me përfaqësuesit e politikës populiste. Sot institucionet e drejtësisë kanë nevojë për përkrahje pasi vendosja e drejtësisë është revolucioni i kohës sonë. Nëse ai nuk ndodh do të trokasë rebelizmi i populizmit dhe sistemi do të bjerë. Uroj të ndodhë e duhura”, deklaroi Majko.

Te tjera

Lajme te tjera