E enjte, 20 Mars, 2025

Wall Street Journal: Harrojeni Italinë. Pse duhet të vizitoni Shqipërinë

Share

Me male e plazhe të mrekullueshme, ushqim të shijshëm dhe fshatra mesjetare, pa turmat e Francës apo Italisë, ky shtet ballkanik meriton një vend në listën e destinacioneve për t’u vizituar. Kështu nis artikullin gazetari dhe redaktori i medias së njohur Wall Street Journal, Robert P. Walzer, i cili rrëfen udhëtimin e tij në Shqipëri, të nisur fillimisht me dyshim.

“Një herë në vit, një shok dhe unë planifikojmë një udhëtim me biçikletë. Tashmë kemi vizituar disa nga destinacionet e zakonshëm si Franca dhe Spanja, dhe disa më pak të zakonshëm, si Etiopia. Megjithatë, kur miku im sugjeroi destinacionin e këtij viti – Shqipërinë – ngrita vetullat me dyshim.

Pasi bëra disa kërkime, Shqipëria, ashtu si Italia dhe Franca, ka male alpine që arrijnë qiellin, një rivierë me ujëra të pastër kristal, kulturë të pasur ushqimore, histori të lashtë dhe fshatra mesjetare. Ajo që i mungon: dhjetëra miliona turistë dhe çmimet e larta të homologëve të saj europianoperëndimorë.

Nuk është për t’u habitur, pra, që ish-provinca osmane ka fituar bujë mes udhëtarëve të zgjuar – fillimisht europianët dhe tani, një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh. Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009 dhe që atëherë është bërë kandidate për Bashkimin Europian.

Një aeroport i ri ndërkombëtar dhe disa hotele moderne do të hapen vitin e ardhshëm dhe një resort luksoz në ishull po planifikohet nga askush tjetër përveç dhëndrit presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. Por tre dekada pas rënies së diktaturës komuniste, ky komb ballkanik i pyllëzuar ende ndihet i freskët dhe i pazbuluar.

Kur unë dhe shoku im mbërritëm në kryeqytet, Tiranë, në fund të shtatorit, ajri ishte ende i ngrohtë. Për të menaxhuar udhëtimin, ne kishim punësuar një udhërrëfyes lokal çiklizmi, një emigrant afro-amerikan, i cili, në përpjekje për t’i shpëtuar politikës dhe racizmit amerikan, ishte zhvendosur në Shqipëri si një nomad dixhital tre vjet më parë.

Gjatë një rrugëtimi 5-ditor nëpër qytetet bregdetare të Vlorës, Himarës, Sarandës dhe Ksamilit, si dhe qytetin-kala të Gjirokastrës, ne pedaluam një rrugë malore, gjarpëruese të rrethuar nga pisha dhe bredha. Në pika të ndryshme, pamjet mahnitëse të deteve Jon dhe Adriatik të kujtonin si autostradën e Bregut të Paqësorit të SHBA-së, ashtu edhe Bregun Amalfi të Italisë.

Gjatë rrugës morëm energji me byrek, një pastë. Gjithashtu, në dietën tonë ishin peshqit, makaronat dhe pica – të gjitha reflektime të lidhjeve të ngushta kulturore të Shqipërisë me Italinë, fqinjin e saj përtej Adriatikut. Në të gjithë vendin, ne zbuluam se fatura për një darkë të mirë me verë shkonte zakonisht më pak se 20 dollarë dhe një qëndrim në një hotel me katër yje, nën 100 dollarë.

Në një ditë me shi, vizituam kështjellën e rëndësishme strategjike të Porto Palermos, e ndërtuar nga sundimtari legjendar shqiptar i shekullit të 19-të, Ali Pasha, në një gji të bukur për të forcuar kontrollin e tij mbi rajonin.

Në qytetin bregdetar të Vlorës, ku Shqipëria shpalli pavarësinë në 1912, ne ishim të vetmit vizitorë të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në një ndërtesë të vogël ku sundonte qeveria e parë.

Ne qytetin e Gjirokastrës një vend malor i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s vizitorët hynin në fshatin me kalldrëm 1000-vjeçar me një bukuri të botës së vjetër të ngjashme me Sienan ose Bruges.

Kalaja e famshme e Gjirokastrës ia vlente të vizitohej, veçanërisht muzeu magjepsës që rrëfen të kaluarën shumëngjyrëshe ushtarake të Shqipërisë.

Harel Kopelman, një qytetar amerikan që bashkëthemeluar një qendër kulturore të quajtur Nata Shqiptare, thotë se Amerika është e njohur në Shqipëri, pjesërisht për shkak të mbështetjes së Presidentit Wilson për pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe ndërhyrjes së Presidentit Clinton në luftën në Kosovë. “Shqipëria është si shteti i 51-të”, tha ai. “Njerëzit këtu i duan amerikanët.” Duke folur për veten time, tani mund të them se ndjenja është krejtësisht e ndërsjellë”. / The Walll Street Journal

Te tjera

Lajme te tjera