E shtunë, 18 Janar, 2025

Vuçiç “humb shpresat”:  Ja pse Serbia nuk do të hyjë në Bashkimit Evropian për 7 vitet e ardhshme

Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka humbur shpresat se Beogradi do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga situata gjeopolitike. Sipas tij, kjo situatë nuk është optimiste, siç tha ministrja për Integrime Evropiane Jadranka Joksimoviç, e cila më parë u shpreh se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së “për pesë deri në shtatë vitet e ardhshme”. Vuçiç në konferencën për shtyp me rastin e hapjes së aeroportit “Rosulje” në Krushevac tha ditëne  djeshme se rruga e Serbisë është rrugë evropiane dhe se “ne duhet të këmbëngulim”, por se ai është “realist” për këtë çështje. “Ne mbështetemi në forcat tona. Ne kemi treguar se me punën tonë duke mbijetuar në rrugën evropiane dhe duke ruajtur miqësitë tradicionale, ne mund ta përmirësojmë vendin kaq shumë, përtej njohjes”, theksoi Vuçiç. I pyetur për vizitën e ardhshme të kryeministrit malazez Dritan Abazoviç në Serbi , ai potencoi se pret një vizitë të mirë dhe se shpreson se do të jetë e mundur të ndërtohen marrëdhënie më të mira se më parë. “Presim një vizitë të mirë, do të diskutojmë të gjitha temat e rëndësishme me Dritan Abazoviçin. Besoj se është e mundur të bëjmë marrëdhënie disi më të mira në krahasim me ato që kemi pasur më parë”. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e Serbisë ndaj abortit, i cili në SHBA me vendim të Gjykatës Supreme nuk është më e drejtë kushtetuese e gruas, Vuçiç tha se “nuk kemi planifikuar të ndryshojmë asgjë për këtë çështje”. “Nuk do ta përkrahja kurrë diçka të tillë, sepse besoj se aborti është e drejtë e gruas. Më pëlqen apo jo është diçka tjetër. Ne kemi rregulla dhe ligje që flasin qartë për këtë”, shtoi ai.

Te tjera

Lajme te tjera