Nga Rigels Seliman
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Oleksandrovych Zelenskyy ka lajthitur rëndë, madje “i ka lëshuar pëllumbat”. Çfarë mund të presësh tjetër nga një aktor që skenën e teatrit e shkëmbeu me atë të gjeopolitikës, por që rolin e liderit vizionar vazhdon ta luajë me skenarë të dobët e të paqëndrueshëm? Zgjedhja e aktorit president Zelenskyy për të udhëtuar në Serbi (Beograd) e për të deklaruar krah presidentit serb, Aleksandër Vuçiç pa ekuivok se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës është një shfaqje e turpshme politike, ku diplomacia u zëvendësua nga një amatorizëm të rrezikshëm dhe një mosmirënjohje të pacipë.
Ky teatër absurd i Kievit zyrtar fyen rëndë çdo parim moral dhe strategjik. Në vend që të tregonte pjekuri shtetërore, presidenti Zelenskyy zgjodhi të përkëdhelë Serbinë, aleaten më të afërt të Vladimir Putinit në Ballkan, e cila refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë. E gjitha kjo ndodhi ndërsa i kthye krahët Kosovës, një shteti, i cili nga dita e parë e pushtimit rus u rreshtua pa kushte në mbrojtje të Ukrainës, duke dërguar ndihma ushtarake, humanitare, duke strehuar gazetarë e refugjatë ukrainas dhe duke zbatuar çdo sanksion perëndimor kundër Rusisë.
Përpjekja e Zelenskyyt për të barazuar integritetin territorial të Serbisë me atë të Ukrainës tregon se ai nuk kupton as historinë e as të drejtën ndërkombëtare. Pretendimi se mbrojtja e hegjemonisë serbe mbron Ukrainën është një absurditet logjik. Kosova nuk është Krimea e as Donbasi; ajo nuk është produkt i pushtimeve apo referendumeve false të orkestruara nga jashtë. Duke përqafuar narrativën e Beogradit dhe Moskës, Zelenskyy i dha ushqim propagandës së Putinit, duke dëmtuar vetë kauzën e vendit të tij.
Por aktori i Kievit duhet ta kuptojë një të vërtetë të patjetërsueshme, se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nuk varet nga vula e tij e as nga deklaratat e tij në Beograd. Shqiptarët e Kosovës nuk janë të ardhur e as mysafirë në trojet e tyre. Ata janë popull autokton, pasardhës të drejtpërdrejtë të banorëve më të vjetër të Ballkanit, që kanë jetuar në ato toka mijëra vjet përpara se fiset sllave të zbritnin nga stepat ruse apo nga Uralet për t’u vendosur në rajon. E drejta e Kosovës për liri e shtetësi buron nga toka e saj, nga gjaku i derdhur për vetëvendosje dhe nga konfirmimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova nuk ka nevojë për lejen apo njohjen e Zelenskyyt për të ekzistuar; ajo ishte, është dhe do të mbetet e lirë mbi trojet e veta etnike të Dardanisë.
Ky dështim diplomatik tregon se kur politika drejtohet nga logjika e spektaklit dhe jo nga parimet e qëndrueshme, rezultati është kjo lloj shpërfilljeje e ulët morale. Zelenskyy mund të vazhdojë të luajë rolin e tij në Beograd, por historia nuk do ta falë këtë hipokrizi. Liria nuk mbrohet, duke mohuar lirinë e një populli tjetër autokton, dhe Kosova do të vazhdojë rrugën e saj, shumë më e fortë se çdo konjukturë apo lajthitje kalimtare gjeopolitike.
