E diel, 2 Gusht, 2026

Vota për Nait Hasanin më 9 shkurt, një zgjedhje për historinë, guximin dhe të ardhmen e Kosovës

Share

Nga Rigels Seliman

Nuk kam pasur nderin të njoh personalisht Nait Hasanin, por duke qenë mik i mikut tim të shtrenjtë, komandant Afrim Ajredinit, ndjej përgjegjësinë të them disa fjalë për këtë figurë madhështore të Kosovës. Nait Hasani nuk është thjesht një emër në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjet e 9 shkurtit, Ai është vet historia e Kosovës, një simbol i guximit, përkushtimit dhe sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë.

Naiti është një nga ata njerëz të rrallë që historia e vendit tonë i ruan me kujdes në faqet e saj më të ndritura. Si një nga ideatorët dhe themeluesit kryesorë të UÇK-së, ai ishte aty që në fillim, në momentet më të vështira, kur ideja e lirisë ishte një ëndërr e ndaluar. Përjetimet e tij të tmerrshme nën regjimin serb do të tronditnin edhe më të fortët: përndjekje, tortura çnjerëzore dhe vuajtje të pafundme. Megjithatë, Nait Hasani nuk u përkul asnjëherë. Ai është guri dhe çeliku që ka ndërtuar themelet e Kosovës së lirë.

Për ata që e njohin, Naiti nuk është thjesht një hero i të kaluarës, por një shembull i vazhdueshëm i integritetit dhe përkushtimit. Në dy dekada, komandant Nait Hasanit nuk e ka ndaluar luftën për drejtësi, transparencë dhe zhvillim për vendin. Ai është një burrë stoik, i pakompromis ndaj dukurive që cenojnë të ardhmen e Kosovës.

Sot, Kosova ka nevojë për njerëz si Nait Hasani në Parlament, për njerëz që nuk harrojnë asnjëherë pse dhe për kë luftuan. Ai garon me numër 42 në listën fituese të PDK-së, dhe më lejoni ta them me bindje të plotë, se, vota për Nait Hasanin nuk është thjesht një zgjedhje politike, por është një thirrje për vazhdimësinë e një ideali të shenjtë.

Ndaj ftoj çdo qytetar të Kosovës, çdo njeri që ndien dashuri për këtë tokë dhe respekt për ata që e bënë të mundur lirinë tonë, të mbështesë Nait Hasanin. Le t’i tregojmë botës se e njohim historinë tonë, se i nderojmë ata që u flijuan për të ardhmen tonë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit janë një mundësi për të dëshmuar se Kosova ende beson te vlerat, te sakrifica dhe te guximi. Le të votojmë për numrin 42, për Nait Hasanin, për simbolin e pathyeshmërisë dhe për një Kosovë më të mirë.

Suksese, çlirimtar! E ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta kur njerëz si ti marrin drejtimin!

Te tjera

Lajme te tjera