Vogëlushi Ilves Seliman, i cili është bërë viral për letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama gjatë pandemisë se Covid-19, është vënë sërish në qendër të vëmëndjes. Sot që flasim Ilves është 10 vjeç dhe në klasën e 5 -të në shkollën 9-vjeçare “Klodian Tanushi” në lagjen 12 (Fresku) Tiranë, ndërkohë që i ka dërguar një letër të hapur kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me një shqetsim që ka.
Ja letra e plotë e e vogëlushit Ilves për kryebashkiakun Veliaj:
I nderuar kryetar i Bashkisë së qytetit tim, zoti Erion Veliaj! Unë që po ju shkruaj jam një fëmijë 10 vjeçar, “autokton” i këtij qyteti, nëse të tillë mund të të klasifikojë vendbanimi në Tiranë, pasi nga mami origjina ime është tironse. E dua Tiranën, si qytetin tim të lindjes, të lindjes së mamasë sime, të vendosjes së themeleve të gjyshërve të mi, si qytetin ku familja ime ka jetuar e kontribuar për një jetë të tërë e deri më sot për breza me radhë. E që të mos zgjatem kryetari im i bashkisë, Tiranë për mua si fëmijë është një qytet i qetë e i bukur, por edhe i zhurmshëm e kaotik, ndërkohë që ka nevojë edhe për disa ndryshime. Unë jetoj ekzaktësisht tek lagjja e Freskut, njësia 12.
Por çdo ditë që unë shkoj për në shkollë has shumë vështirësi, pasi një copë rrugë që bëj është e shkatërruar dhe me baltë. Gropa që për vite me radhë lëngojnë dhe duhet të mbushen, janë aty çdo ditë. Në si banorë jemi ankuar dhe kërkojmë që në kryeqytetin tonë të kemi infrastukurë moderne, por askush nuk e vë ujin në zjarr për të rregulluar këtë rrugicë mes lagjesh që na është kthyer në makth. Nuk jam në dijeni nëse ju si bashkia qendrore jeni në dijeni të këtij problemi që ne kemi. Mirë që nuk kemi një park dhe këndë lodrash ku ne vogëlushët të luajmë, por të paktën vëreni dorën në zëmër dhe na rregulloni rrugicën që nuk merret vesh është rrugicë fshati apo kryeqyteti modern sikundër është Tirana jonë e bukur që këto 8 vite nën drejtimin tuaj ka pësuar progres për mirë. Do ju lutesha si banor, si qytetar, si vogëlush.
Ngrini një mjedis të bukur aty zoti Veliaj. Mbillni ca pemë dhe shumë bar e lule dhe vendosni një kënd lojërash për fëmijë në ish-repartin ushtarak që kemi ngjitur dhe qëndron aty si ngrehinë lufte. Është aq i nevojshëm ai mjedis në mes të asaj getoje të vjetër. Dhe mos u ndalni aty, kompensojini pronarët privatë nëse ka dhe ndërtoni një park të madh pushimi aty në krah po ashtu. Do jetë një mjedis relaksi për mijëra banorë të pallateve aty rreth e rrotull, aq të dëshiruar për një zonë të gjelbër pranë banesave të tyre. Ka shumë dendësi, shumë makina e parkime e fare pak ajër zoti Veliaj. Ka nevojë serioze Tirana për të tilla mjedise. Merreni këtë vendim për hir të fëmijëve tuaj, të fëmijëve tanë e në emër të Tiranës europiane të së ardhmes. Do të gëzoni mirënjohjen e banorëve të Tiranës për jetë e mot.
Me respekt, vogëlushi Ilves Seliaman!
