E hënë, 9 Nëntor, 2026

VKM/ Qeveria merr vendimin, pagat e administratës indeksohen me 2.5%! Përfitojnë gjyqtarët, prokurorët e Presidenti

Share

Për herë të parë, punonjësit e administratës, qoftë në nivel qendror apo vendor, përfitojnë nga indeksimi i pagës. Vendimi për indeksimin e pagave me 2.5% është marrë mbledhjen e sotme nga Këshilli i Ministrave dhe përfitojnë disa kategori, duke nisur me pagën e Presidentit të Republikës, gjyqtarëve e prokurorëve, Garda, Policia e Burgjeve apo edhe personeli shëndetësor. Me indeksimin 2.5%, paga e kreut të shtetit bëhet 435 625 lekë në muaj.

Përfitues nga indeksimi janë edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas VKM-së, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është sa 36% e pagës së Presidentit të Republikës, rritet me 2.5%. Pas indeksimit, kjo pagë bazë bëhet 156 825 lekë në muaj, nga rreth 153.000 lekë është aktualisht. Ky indeksim vjen në një kohë kur gjyqtarët kanë depozituar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave, kërkesë e cila është kundërshtuar edhe nga kryeministri Rama.

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS  SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS   SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.

2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.

3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të                 nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.

2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.

3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Te tjera

Lajme te tjera