Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zyrtares së lartë, Belinda Balluku, ka tronditur skenën politike në Tiranë dhe ka nxitur një valë reagimesh. Në një intervistë për “Vip Magazine”, Grid Rroji, pedagog në Universitetin CUNY në New York ka analizuar pasojat e vendimit, rolin e Edi Ramës, Ilir Metës dhe Sali Berishës, si dhe situatën e krijuar rreth Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në dosje korruptive. Rroji i përshkruan zhvillimet politike si një “lojë e sofistikuar e Parisë së Tiranës”, ku të gjitha palët e përfshira – qeveria, opozita dhe institucionet e drejtësisë – po luajnë një teatër për të ruajtur ndikimin dhe kontrollin mbi vendin, ndërsa qytetarët shqiptarë mbeten viktima e këtyre pazareve dhe manipulimeve politike. Ndërkohë Grid Rroji, ish-këshilltar i Sali Berishës në qeverinë e PD në vitet 2005-2009 dhe një ndër themeluesit e Partisë Demokratike thekson se ndërsa Rama e mban Belinda Ballukun në shënjestër për të treguar kontrollin mbi pushtetin, zoti Ahmetaj dhe të tjerë janë figura që mund të sjellin të dhëna të rëndësishme për SPAK, por që veprojnë kryesisht për interesat e tyre personale, duke e kthyer drejtësinë në një lojë të ndërlikuar pushteti dhe mbijetesë politike.
-Z. Rroji, si e patë qasjen që pati kryeministri Edi Rama ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me lënien në fuqi të pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku?
Grid Rroji: Për mendimin tim është një lojë që po e luan shumë mirë e gjithë Paria e Tiranës me kompaktësinë e vet, të gjithë bashkë në grup, ku secili ka një rol të caktuar. Pra unë besoj që zoti Rama e priste dhe e shtyu këtë lloj vendimi, një vendim që as nuk e dënon dhe as nuk e lejon qeverinë që ta lëshojë zonjën Balluku. Dhe kjo nuk është një çështje që ka të bëjë thjesht vetëm me zonjën Balluku, por ka të bëjë me të gjithë anëtarët, pjesëtarët e Parisë së Tiranës, ata që janë sot në qeveri dhe ata që janë sot në opozitë. Objektivi i Parisë së Tiranës është që të mos lejojë që të dënohen vjedhjet dhe hajnitë që kanë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe të gjithë pushtetarët dhe ata që kanë bërë biznes me pushtetin nga opozita. Dhe për këtë roli i zotit Rama është që të krijojë hapësirën publike, të krijojë ndjesinë tek njerëzit, t’i bëjë njerëzit që të mendojnë që kjo drejtësia e re e ka shtyrë shumë veten. Nuk mund të shkojë kaq larg sepse sigurisht nuk mund të dënohen politikanët shqiptarë sipas tij. Dhe atëherë ai mendon se ky është roli i tij, roli i luftës kundrejt një drejtësie e cila më në fund po arrin t’i zbulojë shqiptarëve nivelin e thellë të hajnisë dhe antishqiptarisë të të gjithë Parisë. Do të doja të theksoja këtu dhe një diçka tjetër që unë e theksoj vazhdimisht që secila nga palët e Parisë së Tiranës ka një rol kyç në këtë luftë. Pra edhe demonstrata me molotovë e me zhurmë të madhe është teatër. Edhe dalja e zotit Rama kundër SPAK-ut është teatër. Edhe bubullimat që vijnë nga burgu i Ilir Metës, edhe ato janë pjesë e teatrit. Janë të tre palët të cilët duhet të recitojnë këtë lloj teatri në mënyrë që të krijojnë trysninë ndaj ndërkombëtarëve, por gjithashtu edhe të krijojnë ndjesinë tek njerëzit, mendësinë tek njerëzit që kjo është rruga e drejtë. Në fakt ky është një gabim i madh. Është një qorr-sokak ku po e fut Paria e Tiranës popullin shqiptar.
-A mendoni që edhe Gjykata Kushtetuese u bë pjesë e kësaj loje pasi nuk dha një vendim të qartë?
Grid Rroji: Po sigurisht që jo vetëm Gjykata Kushtetuese, por ashtu siç e thatë ju, por edhe çdo lloj institucioni tjetër që ka lindur dhe është ngjizur nga Paria e Tiranës brenda këtyre kontureve, brenda sistemit të Parisë së Tiranës, nuk ka asnjë shans përveçse të jetë një lloj institucioni që i shërben padronit të vet. Pra Gjykata Kushtetuese është një institucion i krijuar për të mbrojtur Parinë e Tiranës, i mbushur me njerëz të cilët janë të kapur nga Paria e Tiranës. Është një institucion ku nuk mund të jesh dot gjykatës Kushtetues në qoftë se nuk ke lidhjet e duhura me njërën apo tjetrën palë. Të dyja palët kanë anëtarët e tyre brenda për brenda dhe është më se natyrale po ta mendojmë me thjeshtësi. Po të bëjmë një krahasim me botën e kafshëve: në kënetë nuk rriten luanë, nuk dalin luanë në kënetë; dalin peshq kënete që jetojnë në llumin dhe në baltën e tyre dhe ushqehen me baltën e tyre. Kështu që edhe Gjykata Kushtetuese është ky lloj institucioni. Është e pritshme që t’i shërbejë deri në fund Parisë së Tiranës. Edhe pse trysnitë që i vijnë Gjykatës Kushtetuese nuk janë vetëm të brendshme, ndaj dhe katër me katër i shërbente krejtësisht të gjitha palëve. Të gjithë lanë duart dhe thanë që tani le të vazhdojë puna. Sigurisht që ekziston Komisioni i Venecias që është një tjetër kalendë greke ku Paria e Tiranës është mësuar t’i shtyjë çështjet. Sigurisht që kjo e lejon opozitën që të dalë dhe të hedhë dhe ca molotovë të tjerë dhe të përpiqet që të zërë vendin e një opozite reale sepse mendojeni në këtë lloj mënyre: Kujt i shërbyen ato molotovët, çfarë objektivi patën dhe a është vërtetë kjo një luftë kundrejt Belinda Ballukut? Ndërkohë që deri para pak kohësh Belinda Balluku financonte këto lloj protestash për zotin Klliçi. Pra të gjitha këto janë një farsë, janë një teatër i madh që luhet në kurriz të shqiptarëve dhe unë do të insistoj fort që t’jua tregoj shqiptarëve që kjo është një farsë dhe nuk duhet të përfshihen, e cila është shumë dëmprurëse për të gjithë interesat e shqiptarëve.
-Zoti Rroji, mendoni që shqiptarët kanë arritur ta kuptojnë këtë farsë dhe që të fillojnë dhe të marrin hapa kundër këtyre pazareve?
Grid Rroji: Pra, unë nga natyra jam optimist dhe popullin tim e dua pa asnjë lloj rezerve. Ndaj unë nuk jam personi më objektiv për të gjykuar popullin shqiptar. Unë mendoj gjithmonë që populli shqiptar është më i mençur se sa duket dhe sesa tregojnë të ashtuquajturat votime demokratike që bën Paria e Tiranës. Por thënë kjo, unë mendoj që tanimë edhe militanti më i thekur e ka kuptuar. Mjafton të shikoni pyetjet që i drejtojnë kryetarit të opozitës militantët e vet. Kjo tregon shumë. Pra në qoftë se një militant arrin dhe guxon, kundërshton narrativën e kryetarit të përjetshëm të Partisë Demokratike, kjo tregon që populli e ka kuptuar, populli e di. Sigurisht që populli shqiptar është një popull i adaptueshëm. Ne përpara se sa të bëjmë diçka mendojmë që të mos prishim punë, mos bëjmë dëm interesave tona, siç është normale që të jetë, dhe do të ketë mitingje të kryeministrit ku të gjithë do t’i thonë “ti je më i miri, më i bukuri, më i duhuri, më i mençuri, pa ty nuk ka Shqipëri” e të tjera, e të tjera. Këto janë pjesë e asaj që quhet normaliteti politik. Por le të mos harrojmë që me mijëra e qindra mijëra vetë qanë për ish-diktatorin Enver Hoxha dhe sot nuk dihet as se ku e ka varrin, ose i fshihet varri nga familja sepse njerëzit tregojnë atë që kanë ndjerë realisht vetëm disa pak vite më vonë. Kështu që nuk do t’u besoja shfaqjeve mediatike, nuk do t’i besoja asaj që zoti Rama del dhe flet me njerëzit dhe ju imponon me prezencën e tij, me gardën e me pushtetin që ka si një diktatoruc ballkanik që t’i thonë fjalë të mira. E njëjta gjë për zotin Berisha. Dhe zoti Meta tanimë është duke luftuar si theror për të gjithë parinë e Tiranës. Është ai që po mendon se po bën burgun për të gjithë. Ndërkohë që në burg duhet të bien të gjithë ata që kanë vjedhur popullin shqiptar. Zotit Meta duhet t’i bashkohen tek 303 ndoshta dhe në Reç të gjithë ata që kanë guxuar dhe kanë vjedhur popullin shqiptar, të gjithë ata që kanë prekur fondet e popullit shqiptar, të gjithë ata që kanë shitur Shqipërinë. Sepse këta që kanë qeverisur dhe kanë qenë në opozitë gjatë këtyre 30 e kusur viteve vetëm se kanë shitur pasuritë e popullit shqiptar, kanë shitur shqiptarët, kanë shitur edhe militantët e vet. Pra këta janë llumi i llumit të llumit dhe nuk mund të lejohen më që të drejtojnë shqiptarët, por për sa kohë që janë në pushtet ata përfaqësojnë Shqipërinë.
-Pse ka një hezitim nga zoti Rama për të mos dorëzuar Belinda Ballukun edhe pse ka pasur deklarata zyrtare të ardhura nga ndërkombëtarët ku i thuhet shprehimisht që Kuvendi i Shqipërisë duhet të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut?
Grid Rroji: Unë mendoj që është një lojë shumë e sofistikuar me dy drejtime e jo vetëm e Ramës, por edhe e gjithë Parisë së Tiranës. Nga njëra anë zoti Rama e bën pjesë të luftës me opozitën zonjën Balluku, ashtu siç nuk bëri Erion Veliajn, por është duke bërë zonjën Balluku. Arsyeja është sepse zonja Balluku ka qenë shumë pranë tij, pra është zëvendëskryeministre dhe sigurisht që më lart sesa zonja Balluku vetëm Edi Rama është në atë qeveri. Kështu që nuk ka ku shkon më lart shënjestra e organeve të drejtësisë, por kjo është vetëm njëra pjesë e arsyes. Unë mendoj që pjesa tjetër e arsyes është që zoti Rama kërkon t’u tregojë të gjithëve që është ende nën kontroll sepse nuk është çështja që do të lëshojë Belinda Ballukun dhe mbaron aty puna. Po lëshoi Belinda Ballukun pastaj ai e di që mbrapa vjen një tufë e madhe njerëzish, shumë të afërt me të, të cilët i kanë dosjet gati dhe dosjet e tyre do të përparojnë dhe atëherë do ta detyrojnë që t’i lëshojë edhe ata. Pra zoti Rama është duke luajtur pengmarrësin duke thënë që “këtu vendos unë, unë kam ende pushtet”. Sepse nëse njerëzit perceptojnë se ai nuk ka më pushtet, e gjithë fasada e tij, e gjithë 83 votat në parlament, e gjithë kjo fasada e takimeve me popullin ku të gjithë i thonë “je më i miri, më i bukuri, më i dituri” bie. Bie sepse nëse njerëzit perceptojnë që zotit Rama i ka shkarë këmba, unë gjykoj që nuk do të ketë kush mëshirë për të shkelur mbi kokën e tij. Pra zoti Rama e ka çështje mbijetese këtë, ka çështje mbijetese politike, se nuk flas mbijetesë fizike këtu, ato punë i di vetëm Zoti, po mbijetese politike. Nëse ai lëshon Belinda Ballukun, atëherë ai e ndjen se fillon një tatëpjetë e tij politike e pakthyeshme. Pra nga njëra anë e vendos Belinda Ballukun në shënjestër dhe e konsumon me anë të luftës së opozitës dhe nga ana tjetër jep përshtypjen që është ende në pushtet.
-Grid, një ndër zërat që ka qenë denoncues ndaj zotit Rama, edhe pse vetë i kërkuar nga SPAK për korrupsion, zoti Ahmetaj i cili tashmë është arratisur dhe ndodhet në Zvicër, duket se do të dëshmojë në një prej gjyqeve që zhvillohet ndaj tij ku do të dëshmojë me videokonferencë. Besoni që mund të jetë edhe një lëvizje e SPAK-ut dhe Gjykatës që në një të ardhme të caktuar të përfshijë dhe kryeministrin Rama mbi bazën e një dëshmie që mund të thotë zoti Ahmetaj?
Grid Rroji: Pikë së pari unë nuk prirem që t’i besoj shumë hajnave. Zoti Ahmetaj është i akuzuar për një hajni të tmerrshme, ka qenë ministër financash, nuk ka denoncuar asnjë fenomen korruptiv për sa kohë që ishte ministër financash. Kështu që këto konvertimet në moment të fundit duke jetuar me paratë e korrupsionit në Zvicër nuk më bindin shumë. Po thënë kjo, zoti Ahmetaj ka dijeni dhe njohuri shumë të thella, prej intervistave të tij kemi mësuar shumëçka. Ndonëse ai i thotë gjysmë të vërteta, ndonëse ai ruan Parinë e Tiranës, sepse zoti Ahmetaj le të jemi të sinqertë me njerëzit dhe me veten, ai është pjesë e Parisë së Tiranës. Pra ky është një pendim së brendshmi. Nëse vërtetë do të bëjë të penduarin, nëse vërtetë zoti Ahmetaj ka dashuri për Shqipërinë dhe për shqiptarët aq sa thotë nëpër intervistat tek ai televizioni i opozitës, që për ironi e akuzonte për hajni mezi pret që ta marrë në televizionin e vet. Kështu që këta janë të gjithë bashkë dhe këta të gjithë duan vetëm të vjedhin dhe t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Zoti Ahmetaj ka një mundësi ashtu siç e ka dhe Ilir Meta nga burgu, të dalin përpara shqiptarëve, t’i shohin shqiptarët drejt në sy, se ai është edhe nga Vlora. Kështu që si vlonjat ai duhet ta njohë këtë lloj mënyre të komunikimit. T’i shohë shqiptarët drejt në sy dhe të thotë: “Po, unë jam pjesëtar i hajdutërisë që ka vjedhur shqiptarët prej 35 viteve. Unë kam bërë një, dy, tre, katër, pesë dhe i kam bërë në bashkëpunim me një, dy, tre, katër, pesë dhe për këtë më kanë ndihmuar një, dy, tre, katër, pesë” dhe të nxjerrë emrat dhe t’u flasë shqiptarëve haptas. Atëherë zoti Ahmetaj do të fitonte respektin e popullit shqiptar. Për momentin zoti Ahmetaj është duke u përpjekur të shpëtojë veten dhe bashkëjetuesen e tij e cila me sa duket ka qenë pjesë e këtyre pisllëqeve, dhe me këtë mundohet ta bëjë duke shantazhuar kryeministrin duke i thënë që “unë e di se ç’ke bërë ti”. Unë do isha shumë më i lumtur për fatin e zotit Ahmetaj në qoftë se zoti Ahmetaj do t’ia thoshte të vërtetën kryeministrit, atë të vërtetën që ne të gjithë e dimë se si funksionon me vjedhjet e tmerrshme, t’ia thoshte pa kushte, pa kushtëzuar, pa dalë tek televizioni Syri. Të dilte në një video në YouTube dhe t’jua thoshte shqiptarëve se e përhapnin shqiptarët, mos të ketë fare merak, do ta përhapnit ju, unë, kushdo tjetër që ka një mjet publik do ta përhapnim të vërtetën dhe ndoshta do të bëhej dhe një lloj heroi pavarësisht të gjitha gjërave që ka bërë. Atëherë po, do të meritonte faljen e shqiptarëve. Për momentin zoti Ahmetaj është një hajn i kapur i cili jeton, zoti e di se me çfarë në Zvicër, zoti e di se nën kujdesin e kujt shërbimi të huaj në Zvicër dhe se kujt i shërben, ndaj dhe nuk kam shumë simpati për këtë. Për sa i përket dëshmisë së tij në SPAK ose në gjykatë është e kushtëzuar nga interesat e veta. Për sa kohë që ai sheh interesin e vet të parin, ai do të bëjë vetëm aq sa i shërben interesit të Arben Ahmetajt. Dhe për mua kjo nuk duhet të ketë interes publik. Kjo është thjesht një çështje e një krimineli i cili po gjykohet. /Gazeta Sot/
