Seanca paraprake për dosjen “Veliaj” për kalimin ose jo për gjykim, u shty sërish në GJKKO. Gjykata pranoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për t’u njohur me aktet, një e drejtë, që siç tha ai, i është mohuar deri më tani. Seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor në orën 09:00.
Në seancë ishte vetë Veliaj, ku paraqiti dy kërkesa themelore. Për t’i garantuar një proces të drejtë ligjor dhe respektim të të drejtave të njeriut, hapi i parë që duhet të bëjë gjykata, sipas Veliajt, është heqja e menjëhershme e kafazit, ku ai qëndron në sallën e gjyqit, sa herë që paraqitet. Qëndrimi në kafaz para trupit gjykues, tha Veliaj, i cenon dinjiteti njerëzor, prezumimin e pafajësisë, të drejtën për mbrojtje efektive dhe krijon perceptimin e të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës.
“Para pak ditësh unë kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz. Nuk pati asnjë shqetësim, asnjë incident, asnjë arsye sigurie. Nëse gjykata më e lartë e Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar se unë mund të paraqitem i lirë dhe me dinjitet para saj, është e pakuptimtë që në një gjykatë më të ulët të paraqitem si kërcënim për rendin publik.”, shtoi ai.
Veliaj në fjalën e tij të gjatë para gjykatës radhiti një sërë vendimesh të GJEDNJ-së, e cila thotë se mbajtja e të pandehurve në kafaz dëmton komunikimin me mbrojtësit, kufizon pjesëmarrjen reale dhe të ndërgjegjshme në proces dhe minon të drejtën për një proces të drejtë. Kërkesa tjetër e Veliajt në GJKKO, e përsëritur edhe më herët, ishte ajo që t’i vendoset menjëherë në dispozicion dosja hetimore prej 60 mijë faqesh.
“Nuk kam parë asnjë faqe të dosjes, nuk kam pasur asnjë mundësi reale të kuptoj akuzën ndaj meje, nuk kam pasur asnjë mjet për të përgatitur mbrojtjen, dhe kështu, e drejta ime për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.”, shtoi ai.
Për t’iu plotësuar këto dy kërkesa elementare, Veliaj kërkoi edhe shtyrjen e seancës, e cila u përcaktua më 5 dhjetor, me argumentin që kryebashkiaku të njihet me aktet.
Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm si edhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
