E martë, 10 Nëntor, 2026

Veliaj: Gjysma e parave me të cilat blihet pronë në Tiranë, vijnë nga sistemi bankar, pjesa tjetër blihet nga emigrantët dhe të huajt. Rritja e çmimeve të apartamenteve, Veliaj: Është me e ulët se në vendet e BE

Share

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur edhe një tjetër teme që shpesh përbën debat sa i takon ndërtimeve në Tiranë, lidhur me burimin e parave. Ai tha se është e vërtetuar tashmë që, gjysma e këtyre parave kalojnë përmes sistemit bankar, ndërsa pjesa tjetër, e cila për shumë prej kritikëve konsiderohet “e pistë”, vjen nga emigrantët ose të huajt që vendosin të blejnë prona në Tiranë.

“Kritikët e zhvillimit thonë që ndërtimi furnizohet nga para me burime të dyshimta. Ndërkohë që, vetë kritikët e pranojnë që më shumë se gjysma e parave me të cilat blihen apo gjenerohen këto prona vijnë nga sistemi bankar. Për gjysmën tjetër, që nuk ia gjejnë dot burimin, se nuk përpiqen të arsyetojnë, thonë automatikisht se është gjysmë “e pistë”. Për këdo që jeton në Tiranë, gjysma tjetër s’është kaq mister. Mesatarisht 30-35% të ndërtimit e marrin pronarët e tokës dhe pjesa tjetër blihet nga emigrantët tanë që nuk aksesojnë bankat e Shqipërisë, por i marrin paratë nga një bankë, apo kursimet e tyre në Itali, Greqi, Gjermani, Angli, Amerikë apo Kanada,” deklaroi kryebashkiaku.

“Tiranës nuk ia vëmë dot traun, – tha Veliaj, – “për 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit. As nuk e ndajmë dot në vendalinj e të ardhur, sepse ajo është një gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzistojë më. Ne duam ta bëjmë këtë një qytet më të mirë për të gjithë,” tha ai.

Veliaj shtoi se ekonomia është rritur në qytetin tonë. “Vlera e pronës në Tiranë është rritur edhe si rezultat i rritjes në numër dhe i cilësisë së investimeve publike. Sot ne kemi hapësira publike të ekselencës urbane me çmime ndërkombëtare, si sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Zogu I”, sheshi “Italia”, “Pazari i Ri”, “Piramida”, “Kalaja”, Liqeni i Farkës, Liqeni Artificial i Tiranës, Kopshti Zoologjik, apo edhe ato në nivel kapilar, me minisheshe, terreneve sportive, rrugë të asfaltuara, kanalizime, rregull në parkim, ndriçim LED. Pastrimi më i rregullt dhe më i shpeshtë ka ndikuar që të rritet në tërësi vlera e pronës në Tiranë dhe ky është një lajm i mirë për qytetin. Mëkat është kur një qyteti i bie vlera e pronës. Ne jemi nga ato qytete fatlume ku vlera e pronës vetëm është rritur”, sqaroi ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli sot edhe për rritjen e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet. Ai thotë se kjo ka ndodhur, por nuk duhet trajtuar si diçka e keqe, por si lajm i mirë sepse qytetarëve sot prona e tyre u vlen më shumë se më parë.

“Është e vërtetë se çmimi i një apartamenti është rritur në Tiranë, qoftë për t’u blerë, qoftë për t’u marrë me qira. Por, a është kjo një gjë e keqe? 93% e qytetarëve të Tiranës në fakt, janë pronarë të banesave të tyre. Kjo do të thotë se për këta 93% ky është një lajm shumë, shumë i mirë. Secili prej jush është bërë më i pasur dhe ka përfituar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i qytetit, se ka një apartament apo një pronë që i vlen më shumë sot se sa dje,” thotë Veliaj.

Ai shpjegoi se ritmi i rritjes së vlerës së pronës ka ecur paralelisht me rritjen ekonomike në vendin tonë.

“A është rritja e çmimeve në Tiranë e jashtëzakonshme? A ka marrë për kot? A është fryrë nga para të krimit dhe lloj-soj sulmi që bëhet nga këta gjithollogët? Në fakt, shifrat tregojnë se ecuria e rritjes së vlerës të pronës në Tiranë është në përputhje të plotë dhe me ecurinë e rritjes së ekonomisë,” deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj thekson faktin se rritja e çmimeve të banesave në kryeqytet është më e ulët se mesatarja e kësaj rritjeje çmimesh në vendet e Europës: “Në BE, në 10 vitet e fundit çmimi i banesave është rritur mesatarisht me 50%. Për të njëjtën periudhë çmimi mesatar në Tiranë është rritur me 34%. Do të thotë se jemi në një ritëm më të ulët rritjeje se pjesa tjetër e Europës.”

Transformimi dhe urbanizimi i Tiranës, shtoi Veliaj, është në përputhje me planin urbanistik dhe vizionin për të krijuar një qytet që ka ambicie të jetë jo vetëm kryeqendra e Shqipërisë, por dhe e të gjithë rajonit, siç ishte viti i Rinisë, Viti i Sportit dhe vitin tjetër Presidenca e B40.

“Tirana sot është kthyer në një qytet që mirëpret mijëra turistë. Vetëm në vitin 2022 që lamë pas, ne pritëm mbi 4 milionë turistë dhe evente të jashtëzakonshme, si finalja e Conference League, koncertet e Rita Orës dhe Dua Lipës, Samiti i 27 vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto nuk do ishin realizuar dot nëse në Tiranë nuk do të kishim një shesh të madh, një stadium serioz, objekte publike, apo dhe ndërtesa të larta moderne, private, si hotelet me pesë yje që po konturojnë Tiranën dhe që mund të akomodojnë numra të tillë turistësh,” argumentoi Veliaj.

Ai tha se ndërtimi është një nga sektorët që kontribuon më shumë në ekonominë kombëtare dhe të Tiranës dhe punëson 100 mijë njerëz. Ndërsa, nuk la pa përmendur edhe taksën 9% të vlerës së investimit në ndërtim që shkon në rritjen e buxhetit të Bashkisë dhe më shumë investime për qytetarët.

Te tjera

Lajme te tjera