Nga muaji shtator i këtij viti, pritet që 119 shkolla publike të kryeqytetit të kenë të përfshirë vaktin e drekës për nxënësit, duke u dhënë mundësi atyre që të ushqehen shëndetshëm, por ndërkohë të qëndrojnë në shkollë deri në orën 16:00.
Nënkryetari i bashkisë Tiranë Andi Seferi në një intervistë televizive u shpreh se kjo “iniciativë do të fillojë për herë të parë në shkollat publike në Tiranë, duke e bërë si në shkollat në Evropë. Është në kuadër të një procesi të madh duke iu kushtuar vëmendje të veçantë kopshteve, çerdheve dhe shkollave”.
Sipas Seferit, projekti synon që të sigurojë shëndetin, mirëqenien, të garantojë aftësitë intelektuale, fizike dhe sociale dhe të ofrojë hapësira të mbrojtura për fëmijët.
“Nga ky projekt do të përfitojnë 32 200 nxënës nga parashkollori deri në klasë të pestë. Do të jetë me dakordësinë e prindërve për konsumimin e vaktit. Menuja do të jetë bërë nga specialistë dhe do të shpërndahet çdo ditë në shkollë”, tha nënkryetari i bashkisë së Tiranës.
Lidhur me organizimin e këtij projekti bashkia Tiranë ka bashkëpunuar me disa ministri, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Bujqësisë.
Sa i përket zgjatjes së orës në shkollë, po punohet si do të vijojë ky proces me nxënësit në shkollë deri në orën 16:00.