Masë të papërfillshme e ka konsideruar deputetja demokrate Jorida Tabaku uljen e çmimit të energjisë me 1 lek.
Tabaku shprehet se familjet shqiptare po përballen me kosto të larta jetese dhe barrën e madhe fiskale, ndaj dhe kjo ulje nuk i zgjidh asnjë problem qytetarëve.
Tabaku ka argumentuar me një video në rrjetin social Facebook edhe gjendjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHE), duke e cilësuar atë si një kompani me borxhe të akumuluara dhe detyrime të prapambetura ndaj institucioneve publike. Sipas saj, pretendimi se OSHE është një kompani me të ardhura të qëndrueshme është thjesht një fasadë.
Deputetja paraqiti një plan konkret me tri masa që do të ndihmonin qytetarët dhe do të riformësonin sektorin energjetik:
1. Reduktimi ose heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, një masë që do të lehtësonte direkt faturat e familjeve.
2. Mbështetje për shtresat më në nevojë, për të përballuar koston e lartë të energjisë.
3. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe menaxhim më i mirë i sektorit, për të shmangur klientelizmin dhe investimet e paefektshme.
Tabaku theksoi se masat e qeverisë janë të pamjaftueshme dhe të pakonsultuara me nevojat reale të qytetarëve. Sipas saj, zgjidhjet janë të thjeshta, por kërkojnë vullnet dhe transparencë.
“Këto janë dhënat e Eurostatit që tregojnë që në të paktën pesëmbëdhjetë vende evropiane, po edhe të rajonit, çmimi i energjisë elektrike është ulur. Kështu që kur ju thonë që jemi i vetmi vend që ka ulur çmimin e energjisë elektrike, ju gënjej.
Ashtu siç gënjejnë që operatori i shpërndarjes së Energjisë OSHE, që nga një kompani me të ardhura të qëndrueshme dhe prandaj po e bëjnë këto ulje përsëri gënjeshtër, sepse është një kompani që ka borxhe nga institucionet publike e zinxhirët e tyre”, shprehet Tabaku.