Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE për uljen e çmimit të energjisë për familjarët.
Drejtori i Tarifave pranë OSHEE, Romir Pajenga tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, çmimi do të jetë 8,5 lekë për kilovat (paTVSH). Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat (pa TVSH).
Ku vendim hyn në fuqi më 1 shkurt 2025 deri në 31 dhjetor 2025.
Në mbledhjen e bordit të ERE, Pajenga argumentoi se kërkesa për uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët vjen mbi bazën e analizave të thelluara sa i takon nevojave për të ardhura si dhe përbërjen e çmimit final, duke përfshirë atë të sigurimit të energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, tarifën e shpërndarjes si dhe tarifën e transmetimit.
“Propozojmë që për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, çmimi të jetë 8,5 lekë. Ndërsa për ata që shpenzojnë nga 701 kwh e më tej, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kwh. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatorësh të mbeten të pandryshuara”, tha Pajenga.
Anëtarët e bordit të ERE-s, vunë në dukje se fasha 700 kwh prek rreth 80% të konsumatorëve familjarë të lidhur me tensionin 0,4 kV.