E shtunë, 19 Prill, 2025

“Tre Luanët” të papërballueshëm për Senegalin, Francë-Angli, finalja e parakohshme e Botërorit të Katarit

Share

Angli-Francë do të jetë finalja e parakohshme e Kampionatit Botëror që po zhvillohet në Katar. Kemi të bëjmë me një duel ndërmjet dy përfaqësueseve që kanë bindur më shumë në këtë Kupë Bote. Franca mundi dhe u kualifikua përballë Polonisë, kurse dje në mbrëmje ishte radha e Anglisë të tregonte se është një skuadër e fuqishme dhe një pretendente e madhe për të fituar trofeun e Botërorit. “Tre Luanët” mposhtën mbrëmë Senegalin me rezultatin e thellë 3-0, rezultat i përligjur nga loja që bënë skuadrat në fushë, në një ndeshje të dominuar nga fillimi në fund prej grupit të lojtarëve të trajnerit Gareth Sauthgejt. Një fitore bindëse dhe që e konfirmon Anglinë si një prej pretendenteve kryesore për të fituar titullin e Botërorit “Katar-2022”.

Në çerekfinale me Francën pritet të jetë dueli më interesant e më i fortë e më i paparashikueshëm i këtij Botërori. Sa i takon ndeshjes së djeshme, gjithçka u vendos në fundin e pjesës së parë, kur anglezët shënuan dy gola vendimtarë për fatet e takimit, sepse krijuan epërsinë e nevojshme që skuadra e Sauthgejt të ndihej e çliruan nga ana psikologjike e njëherësh të mendojë për ta menaxhuar duelin në mënyrë sa më cilësore. Në fakt, diferencat teknike midis dy ekipeve ishin të mëdha, pasi anglezët kanë një kontigjent që luan në top-ligat europiane, kryesisht në Premier League, me klubet më të mëdha, ndaj janë një ekip shumë cilësor në të gjitha repartet. Në minutën e 38-të ishte Henderson që shënoi golin e parë, kurse Herri Kejn dyfishoi shifrat në minutën e fundit të fraksionit të parë të lojës, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 2-0 në favor të anglezëve.

Me fillimin e pjesës së dytë Senegali bëri ndryshime në formacion, duke i dhënë përparësi sulmit. Por në një kundërzbritje të shpejtë e me pasime të sakta anglezët shejnë golin e tretë e të sigurisë për fitoren. Kështu, në minutën e 57-të Foden kroson tokazi nga e majta e brenda zonës Saka bën si duhet lëvizjen e shpejtë e të saktë duke shënuar golin e tretë. Ky gol i vuri “kapak” kualifikimit për anglezët, ndërkohë që skuadra e Senegalit, e rënë moralisht, nuk pati forcën e duhur që ta gjallëronte lojën dhe ishte thuajse e pafuqishme që të impononte lojën në sulm. Madje anglezët krijuan edhe raste të tjera shënimi në kundërsulm që mund ta kishin thelluar rezultatin. 30-35 minutat e fundit të ndeshjes ishin të mërzitshme, pasi jo vetëm niveli i lojës ra shumë, por anglezët, të ngopur me gola dhe duke parë një rival të dobët e të pamotivuar, menduan që të menaxhonin epërsinë e tyre. Përfundon kështu 3-0 për Anglinë, e cila kalon në çerekfinale përballë Francës, kurse Senegali kthehet në shtëpi.

Te tjera

Lajme te tjera