E martë, 10 Nëntor, 2026

Transparenca për koncesionet, Tabaku paketë ndryshimesh: Përgjegjësia të jetë personale! Braçe: Mbështes draftin, jo koncesione të reja këtë vit që rishikohet ligji

Share

Përmes një pakete ligjore të depozituar në Kuvend, deputetja e PD Jorida Tabaku kërkon rritjen e transperancës gjatë dhënies së kontratave koncesionare dhe PPP, me qëllim që të shmangen rastet abuzive dhe kostot që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit. Në komisionin e ligjeve ku nisi shqyrtimi i paketës, Tabaku tha se ligji aktual lë hapësira për interpretime, ndërkohë duhet të përjashtohen si përfitues persona që janë nën hetim, pasi ligji aktual nuk e kufizon. 

“Në 2023 nuk mund te fshihemi pas përgjegjësisë kolektive. Duhet përgjegjësi personale për dikë që merr vendim. Skualifikimi në rastin e veprave penale. Ajo që është miratuar më parë, është e cunguar, kur persona që janë të përfshirë në vepra penale nuk përjashtohen, këta të përjashtohen. Edhe kur është në një proces gjyqësor dhe nuk ka vendim të formës së prerë. Sipas min. së Financave, djegësat marrin lekët edhe pse adiminstratorët janë nën hetim. Kompaninë paguhen edhe pa përmbushur detyrimet, edhe kur falimentojnë. Kur ka deklarata të rreme. Raporti financiar duhet të jetë i plotë dhe vërteton situatën financiare të kompanisë, deri në 50 % të vlerës së investimit. Janë dhënë koncesione si inceneratorët, vetëm me një letër të bankës së nivelit të dytë, dhe janë dhënë kredi, pa kolateral tjetër”, tha Tabaku.

Ndërkaq zv.ministrja e financave Vasilika Vjero, tha se është duke u bërë një rishikim i plotë i ligjit të koncesioneve në bashkëpunim me BB dhe FMN, pasi një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit aktual nuk është përafruar me atë të BE.   

“Do të vijë në 6 mujorin e dytë të vitit, të miratohet deri në fund të vitit. Të gjitha ndryshimet të behen në të njëjtën kohë, te sjellim një dokument të konsoliduar në parlament”, tha Vjero.

Por për Tabakun është e kotë të presësh një vit derisa të vijë ligji, ndërkohë që koncesionet rrezikojnë stabilitetin financiar të buxhetit të shtetit.

“Koncesionet kanë norma fitimi më të lartë se çdo biznes tjetër, në vend, kanë ardhur me duar në xhepa, nuk kanë pasur asnjë investim dhe asnjë eksperiencë, rasti i Aeroportit të Rinasit”, tha Tabaku.

Në mbështetje të draftit të Tabakut, u shpreh edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se qëndronin arugmentet e paraqitura lidhur me transparencën, ndërsa theksoi se nuk duhet të firmosen kontrata të reja koncesionesh me ligjin aktual, kur po hartohet një ligj i ri.  

“Kam thënë që angazhimet te koncesioni i markimit të karburanteve, dhe u kuptua më pas kush ishte pronari i vërtetë dhe kush derivonte. Transparenca më intereson mua. Kjo largon. Për inceneratorët, ju e keni betejën tuaj, por të presim hetimin. Është e padrejtë që gjatë kësaj periudhe të jepen kontrata të reja koncesionare, apo të rinovohen dhe ne ndryshojmë ligjin, është e padrejtë në aspektin e konkurrencës. Dikush tjetër do konkurrojë me rregulla të reja”, tha Braçe.

Braçe tha se në ndryshimet e ligjit të koncesioneve duhet të përcaktohet kufizim i operatorëve që marrin kontratat, me qëllim që mos të përfitojë I njëjti subjekt disa herë. Ai kërkoi nga ministria e financave listën e kërkesave për koncesione e PPP të depozituara për këtë vit apo ato që rinovohen.

Edhe deputetët e opozitës Edmond Spaho dhe Dashamir Shehu, ngritën shqetesimin se koncesionet kanë pasur kosto të jashtëzakonshme për buxhetin, ku çdo vepër e ndërtuar me këto kontrata ka kushtuar shumë më shtrenjtë se me gara tenderimi.

“Inceneratorët është skemë mashtrimi, nuk ka lidhje me koncesion. Nëse jemi dyshues bashkë, të mblidhemi e ta ndalojmë. Ta diskutojmë me shumë seriozitet, koncesionet janë afatgjata, do kalojnë disa qeveri, të mos paguhen edhe pas 10 vitesh. Hajde merremi sot që të reduktojmë një pjesë të kësaj që është bërë”, tha Shehi.

“Është propozim i mirë. Ka parashikuar qeveria koncesione të reja edhe në këtë buxhet, nuk bllokohet dot. Nëse nuk ka i bllokojmë”, tha Spaho.

Komisioni i Ekonomisë rrëzoi propozimin tjetër të Tabakut për të ndalur efektet e ligjit për investimet strategjike të miratuar nga qeveria në 2015, me një afat 3 vjeçar. Sipas Tabakut ligji u miratua si trazitor dhe do përfundonte në 2018, por është ndryshuar 4 herë vetëm për shtyrjen e afatit, ndërkohë që në këto vite janë dhënë vetëm 36 investime strategjike.

Te tjera

Lajme te tjera