E enjte, 6 Gusht, 2026

Titanikun e Edi Ramës e ka çarë ajsbergu, koha që pasagjerët të marrin varkat dhe komardaret e shpëtimit, kapiteni qëndron me anijen

Share

Nga Rigels Seliman

Sistemi i qeverisjes që ka ngritur kryeministri Rama po prodhon aq shumë korrupsion sa që infekton këdo që hyn në orbitën e tij. Por “ajsbergu”, në këtë rast SPAK, po e mbyt në mënyrë të pakthyeshme “Rilindjen”,  titanikun e Edi Ramës, kryesisht prej skandaleve të veta.

Titaniku mbahet mend ende si katastrofa më e madhe në historinë e udhëtimeve detare. Natën e 15 prillit 1912, Titaniku që konsiderohej në atë kohë anija më e madhe e ndërtuar ndonjëherë, u godit me një ajsberg duke u fundosur.

Nëse heqim një paralele mes tyre, të njëjtin fat tragjik e pret dhe kryeministrin Rama dhe partinë që ai drejton. Një situatë e tmerrshme u shpalos në bordin e Titanikut në atë natë fatale. Ndërsa anija goditi një ajsberg, paniku dhe konfuzioni pushtoi anijen.

Pasagjerët, ekuipazhi dhe sidomos kapiteni i anijes u përballën me realitetin e katastrofës së afërt, ndërsa oficerët e anijes luftuan për të menaxhuar kaosin dhe për të siguruar sigurinë e të gjithë në bord. Këtë gjë po bën dhe Partia Socialiste. Ata po përjetojnë ditët e tyre më të tmerrshme dhe të gjithë janë në ankth pasi së fundmi u godit nga drejtësia e re Arben Ahmetaj, një nga kokat më të rëndësishme të PS.

Në këtë situatë, ashtu si me rastin e Titanikut ndërhyri kapiteni i anijes. Kapiteni Edward J. Smith lëshoi një sërë urdhrash dhe udhëzimesh që synonin lehtësimin e procesit të evakuimit dhe garantimin e sigurisë së pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Edhe Rama i rrethuar nga një qeveri e gjitha me dosje dhe në hetim për korrupsion nga SPAK dhe me procese të rrezikshme të hapura edhe jashtë vendit, mësohet se ka organizuar besnikët e tij socialistë për vigjilencë dhe kujdes nga urdhër arrestet nga SPAK për veten dhe ministrat e tij. Ai u dha direktivat në takimin e fundit privat në Vilën e Mehmet Shehut, Taulant Ballës si Ministër i Brendshëm dhe Ulsi Manjës që të bllokojë kërkesat e ekstradimit, pasi ai është vetë i zhytur në dosjen amerikane për rastin skandaloz Mc Conigal.

Pra duke qenë se institucionet përgjegjëse që do ekzekutojnë urdhrin janë Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, Edi Rama i ka blinduar me dy besnikë, te Drejtësia Manja dhe së fundmi në krye të Ministrisë së Brendshme, Taulant Ballën.

Të vetmin ndryshim që ka Rama me kapitenin e anijes të Titanikut është se sipas dëshmive gjatë fundosjes së anijes kapiteni i Titankut u pa duke dhënë komanda për të nisur varkat e shpëtimit, për të organizuar evakuimin.

Në situatën e rëndë që ndodhet Rama, socialistët e ndershëm duhet të marrin vetë varkat dhe komardaret e shpëtimit pasi kur vjen puna që SPAK të troket tek dera, kryeministri nuk të shpëton, por të hedh vetë pas hekurave dhe këtë e vërtetojnë shumica e besnikëve të tij, të cilët ndodhen në burg.

E përbashkëta e kapitenit të Titanikut dhe drejtuesit të socialistëve është se gjithmonë kapiteni qëndron me anijen kur fundoset. Për më tepër Ramën nuk mund ta shpëtojë askush, pasi ndodhet në periudhën e tij më të errët politike.

Ai është më i izoluar se kurrë nga SHBA-BE. Ndonëse për hir të diplomacisë raportet e ndërkombëtarëve me kryeministrin doemos janë zyrtare, në Evropë e SHBA, Rama nuk po shkel më si politikan që jep shpresë, përkundrazi në çdo takim edhe pse rend pas më të mëdhenjve refuzohet, shmanget dhe i lënë të kuptojë se është i padëshiruar.

Te tjera

Lajme te tjera