E hënë, 13 Janar, 2025

Teza e letërsisë në Maturë Shtetërore, gjuhëtarja Ledi Shamku: Nxënësit kanë probleme serioze me formulimin e mendimit

Share

Teza e sivjetshme e provimit të letërsisë për maturat ishte më e lirë, duke iu mundësuar nxënësve që të arsyetonin me logjikën e tyre mbi pyetjet. Kështu u shpreh gjuhëtarja Ledi Shamku për emisionin “Sot live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv.

Shamku tha se nxënësit nuk janë mësuar me pyetje që kërkojnë përgjigje të lira, por me pyetje të ngurta që nuk lënë hapësirë për mendim. Për këtë, sipas saj, nxënësit janë vështirësuar, pasi nëpër shkolla mësohen me metodën e ngurtë.

“Nëse pyetjet bëhen më të lira, si ato të maturës, nxënësit nuk janë mësuar. Liria ka çmim, por duhet edukuar me liri. Është më e vështirë të jesh i saktë kur je i lirë. Kjo tezë mature ka qenë “e lirë”, nuk ka pasur pyetje që kërkonin përgjigje të ngurta”, u shpreh Shamku.

Në provimet e maturës, gjuhëtarja tha se nuk kishte probleme të shumta drejtshkrimore, por kryesisht sintaksore e leksikore.

“95% fillonin me ‘sepse’, këta nxënës janë krejtësisht të varur nga pyetja, përgjigjen vetëm në bazë të pyetjeve. Problemet kryesore, të formulimit të mendimit”, tha ajo.

Nxënësit sipas gjuhëtares kishin probleme me formulimin e mendimit.

“Fuqia e vërtetë e dijes është jo çfarë bën me atë që di”, theksoi Shamku.

Rregullimi i kësaj problematike duhet të nisë që në mësimin e gjuhës nëpër shkolla, sipas Shamkut. Ajo tha se gramatika që mësojnë nxënësit në Shkolla është gramatika e Akademisë së Shkencave, ku ka pak ndryshime nga gramatika që bëjnë nxënësit në shkollë dhe ajo që bëjnë studentët në degën e gjuhësisë. Shamku dha një shembull se si në Itali në lëndët mësimore nuk integroheshin vetëm rregullat e gjuhës, por edhe kultura e saj.

“Në vitin 64 në Itali, Tullio De Mauro, i cili ka ardhur edhe në Shqipëri, themeloi 10 tezat për një edukim gjuhësor demokratik, një grup punë të cilët u munduan të kenë një qasje prej gjuhëtari në shkollë. Gjuhëtarët vendosen të mos lënë më shkollën vetëm. Nxënësve duhet t’iu përçohet jo vetëm gjuhësia, por edhe vetëdija mbi gjuhën amtare. Shqipja është gjuhë që ka prodhuar kulturë, nuk mund të mësohen vetëm rregullat gramatikore. Kjo është mënyra e vetme që t’i apasionojmë nxënësit me gjuhën shqipe”, u shpreh Shamku.  

Te tjera

Lajme te tjera