A e ka pyetur Edi Rama njeriun më të rëndësishëm në PS, Gramoz Ruçin, për këtë lëvizje?
Në Shqipëri, çdo hyrje e re apo hapje portash nuk është pritur mirë në terrenin toksik të politikës.
Ndaj jemi këtu ku jemi, në një atrofizim total të një elite që nuk lejon qarkullimin e klasës politike.
Të rinjtë që kanë hyrë në udhëheqësinë politike nuk kanë konkurruar me anë të aksioneve të tyre, por janë katapultuar nga lart. Ndaj dhe sa herë ka ndodhur kjo, ka shkaktuar pakënaqësi, mërzi, inat e mllef.
Kështu edhe me rastin e katapultimit të Blendi Gonxhes në qeveri nga Edi Rama, ka 24 orë që në PS sikur ka rënë bomba.
Nuk ka pasur asnjë qëndrim, deklaratë, postim, like apo share të postimit të Edi Ramës në rrjetet sociale ku shpallte emërimin e Blendi Gonxhes.
As Blendi Klosi, as Veliaj, as Balluku, as drejtuesit politikë të PS-së në qarqe apo anëtarët e kryesisë. Është një mungesë entuziazmi e qartë, që flet më shumë se çdo qëndrim deklamativ.
Blendi Gonxhe nuk është një politikan që ka ardhur nga PS, përkundrazi vjen nga një karrerë e tij në lëvizjen studentore, në Partinë Demokratike, më pas në Aleancën Demokratike, dhe bashkohet me ekipin e Edi Ramës në vitin 2001, por asnjëherë nuk i është afruar strukturës politike socialiste.
PS, siç edhe PD apo partitë e tjera, janë mjaft agresive në ardhjet e reja, i keqtrajtojnë apo i bullizojnë, ose të paktën nuk i promovojnë.
Gonxhe nuk është një anëtarësim i lehtë, pasi realisht ai vjen si udhëheqës e jo si një personazh që të bëjë gavetën.
Edi Rama, me katapultimin e tij në qeveri, ka dashur të tregojë një sinjal të qartë politik, që natyrisht do të trondisë nga brenda socialistët.
Mendo, nesër kur Gonxhe të marrë një rol politik në Partinë Socialiste të Tiranës, që sipas të gjitha gjasave do ta ketë. Nuk do t’i flasë asnjëri, por natyrisht që nuk do ta ketë shumë problem. Pasi Edi Rama do ta komandojë, e kjo do të sjellë shkretëtirë e tërmet në gjithë territorin përreth.
Prej sot, Erion Veliaj, nuk është më njeriu që drejton PS-në e kryeqytetit, siç as Belinda Balluku nuk është më e përkëdhelura apo ‘shtriga’ e kryeministrit.
Pasi Edi Rama ka thirrur nën armë miqtë e vjetër, të cilët në mos pasardhës i ka vendosur në krahun e djathtë.
E ka pyetur Edi Rama njeriun më të rëndësishëm në PS, Gramoz Ruçin, për këtë lëvizje?
Ndoshta i ka thënë, por pyetur jo. Nga sot, qoftë Gramoz Ruçi, qoftë ‘delfini’ i tij Taulant Balla nuk mund të shpresojnë më për një luftë vëllavrasëse me Lalin e Belën. Pasi Gonxhja realisht është emëruar.
E kjo nuk do të gëlltitet lehtë. Do të ketë mjaft përplasje e sherre, por Rama e ka bërë pikërisht për të ndodhur kjo shizëm. Sepse kërkon të bëjë ‘tabula rasa’.
Dhe do të jetë realisht i fortë. Një linjë e ngjashme me Erdogan që solli si pasardhës të tij, Hakan Fidanin, njeriun e punëve të tij të zeza. Dhe u mbylli gojën të gjithëve që prisnin emrin me ‘zemër në dorë’.
Sulltani e ka zgjedhur pasardhësin.