Protesta e studentëve është përshkallëzuar përpara selisë së Partisë Socialiste në Tiranë. Një grup të rinjsh është zhvendosur drejt selisë së PS-së, duke i gjetur të papërgatitura forcat e rendit, të cilat në atë moment nuk ishin të pozicionuara përpara godinës.
Të rinjtë kanë nisur të godasin me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke shkaktuar thyerjen e disa xhamave të ndërtesës.
Situata është tensionuar më tej, pasi brenda selisë së Partisë Socialiste ndodheshin disa persona civilë të maskuar dhe të pajisur me shkopinj, të cilët dolën nga ambientet e godinës së PS-së dhe kanë nisur të ndjekin protestuesit.
Ende nuk është e qartë se cilët janë këta persona, çfarë funksioni kanë apo nëse kanë lidhje me strukturat e Partisë Socialiste.
Pas përshkallëzimit të situatës, forcat e policisë kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës.
