Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin për krizën demografike në Shqipëri dhe rritjen e vazhdueshme të administratës publike, duke theksuar kontrastin mes emigrimit të qytetarëve dhe zgjerimit të aparatit shtetëror.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku publikoi një grafik të mbështetur në të dhënat e INSTAT, ku sipas saj vihet re rritja e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2001 rreth 800 mijë shqiptarë jetonin jashtë vendit, ndërsa aktualisht kjo shifër ka arritur në rreth 1.46 milionë, duke shënuar një rritje prej 82%. Ndërkohë, popullsia rezidente në Shqipëri ka rënë me rreth 20%.
Tabaku thekson se ndërsa vendi përballet me largim të vazhdueshëm të qytetarëve, administrata publike ka arritur nivelin më të lartë të 23 viteve të fundit. Sipas të dhënave të publikuara, aktualisht administrata numëron rreth 185,400 punonjës.
Ajo nënvizon gjithashtu se është rritur edhe raporti i punonjësve të administratës për çdo 1,000 banorë. Nga 62 punonjës për çdo 1,000 banorë që ishte më parë, ky tregues ka arritur aktualisht në 79.
Deputetja e PD e krahason këtë raport me mesataren e Bashkimit Europian, e cila sipas saj është rreth 60–65 punonjës publikë për çdo 1,000 banorë. Sipas Tabakut, kjo tregon se Shqipëria tashmë ka një raport më të lartë se vendet e BE-së, pavarësisht se ekonomia është më e vogël dhe popullsia është në rënie.
Sipas saj, kjo situatë reflekton një model të gabuar zhvillimi, ku në vend që të krijohen mundësi për të mbajtur qytetarët në vend, po ndërtohet një shtet gjithnjë e më i madh mbi një shoqëri që po zvogëlohet.
