Kandidati për kreun e SPAK, Klodian Braho ka folur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në lidhje me përvojën e tij në hetimin e çështjeve të rëndësishme që përfshijnë zyrtarë të lartë të shtetit dhe funksionarë të drejtësisë.
Braho theksoi se në një sërë rastesh, kërkesat e tij për masa sigurie nuk janë pranuar nga gjykata, por pas ankimeve të paraqitura nga ai, Gjykata e Apelit ka vendosur sipas kërkesave të prokurorisë.
Më tej, kandidati Braho nënvizoi edhe punën e bërë në drejtim të goditjes së pasurive të fituara nga veprimtari kriminale, duke theksuar një rast të rëndësishëm të vitit 2023, ku u konfiskuan 18.4 mln euro, nje shume sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë kohë.
“Disa nga çështjet janë zhvilluar para se të krijohej SPAK. Ju kam paraqitur cështje penale me zyrtarë të lartë shtetërore dhe funksionarë të drejtësisë, për të cilët jo gjithmonë gjykata ka pranuar kërkesat për masë dënimi. Në këto raste kam paraqitur ankim dhe Apeli ka vendosur sipas kërkesës së prokurorit.
Lidhur me zyrtarë të lartë apo të krimit të organizuar kam kërkuar konfiskimin e pasurive. Dua të sjell në vëmendje vetë një rast në 2023 është konfiskuar një shumë prej 18.4 mln euro, ne origjine nga veprimtaria kriminale, të cilat i përkisnin një organizatë kriminale. Sjell në vëmendjen tuaj se kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë vit që ka qenë 8.9 mln euro”, tha Braho.
Shtatë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, votuan KlodianBrahon pasues të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut. Prokurori, i cili prej 19 dhjetorit kur Dumani dorëzon detyrën do të marrë drejtimin e Strukturës së posaçme Anti-korrupsion, mori shumicën e votave të 11 anëtarëve në një seancë të gjatë publike në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pas tij, 3 vota të anëtarëve arriti të marrë Adnand Xholi, dhe vetëm 1 votë, Elvin Gokaj. Kandidatja e katërt, e vetmja grua që synoi drejtimin e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, nuk mori besimin e asnjë anëtari të KLP-së.
Zgjedhja e kreut të ri erdhi menjëherë pasi për gati 6 orë të 4 kandidatët prezantuan platformat me prioritetet e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
