Agresioni është zmbrapsur me sukses”. Kështu bëri me dije kryeministri Edi Rama sot për sulmin kibernetik ndaj portaleve qeveritare duke theksuar se falë punës së një skuadre shqiptar-amerikane, nuk është fshirë asnjë e dhënë dhe shërbimet publike janë kthyer në punë, duke iu përgjigjur kështu edhe disa shkrimeve të bëra nga disa media.
Rama shtoi se vijon operacioni për forcimin e mureve mbrojtëse dhe hetimi për identifikimin e sigurt të agresorit. Ndër të tjera theksoi se publiku do të njoftohet për dritën jeshile të përfundimit të proceseve. Një përgjigje e kishte edhe për mediat, të cilat sipas tij spekulojnë vazhdimisht pa baza dhe prova për zhvillimet e luftës kibernetike.
“Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!
Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!
E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media”, shkroi Rama në Twitter.
Kujtojmë se 3 ditë më parë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për sulmin kibernetik. Prokuroria njofton se ka nisur hetimin për disa vepra penale, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”; “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”; “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”; dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Një pjesë shumë e madhe e shërbimeve online në e-Albania u rikthyen vetëm pak ditë pas sulmit, duke bërë të mundur kështu që qytetarët të marrin dokumentet online. Pas rikthimet të e-Albania kanë nisur regjistrimet edhe për klasat e para dhe të dhjeta. Kryeministri Edi Rama tha se në procesin e mbrojtjes është përfshirë edhe NATO.
Sulmi klibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane. Kështu deklaroi Kryeministria përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat të hënën. Qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta.
Sulmi është pikasur mesditën e së premtes, nëpërmjet platformave të monitorimit për sigurinë kibernetike të ngritura për sistemet dhe infrastrukturat qeveritare. Sulmi ishte kompleks dhe në shkallë të gjerë. Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave. Metodat mbi të cilat sulmi është kryer ishte i ngjashëm me një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Fatmirësisht detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë u komentua edhe në Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Europian Joseph Borrell tha se “Ju i përballët pak ditë më parë me një sulm kibernetik. Kjo ka ndodhur në shumë vende aleate”, duke lënë të nënkuptohet se sulmi mund të ketë ardhur nga Rusia.