E hënë, 17 Gusht, 2026

Subvencionet ulin kostot dhe nxisin investimet, blegtori në Durrës trefishon numrin e krerëve

Share

Mbështetja përmes Skemës Kombëtare ka ndihmuar fermerët të ulin kostot e prodhimit, të investojnë në mekanizim dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre blegtoral.

Një shembull është ferma familjare e Indrit Pishës, në fshatin Katund i Ri, Durrës, ku prej rreth 10 vitesh ai punon së bashku me familjen për zhvillimin e aktivitetit blegtoral.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ndau historinë e fermerit që ka përfituar nga mbështetja e Skemës Kombëtare për gjedhë, duke e përdorur atë për zgjerimin e fermës dhe uljen e kostove të aktivitetit.

“Kam një fermë familjare. Falë subvencioneve të AZHBR-së, në këto 10 vite kemi shtuar numrin e krerëve nga 50 në 150”, shprehet fermeri.

Aktualisht, ferma vijon aktivitetin me rreth 105 krerë, ndërsa puna e përditshme përfshin ushqimin e kafshëve, mjeljen, kujdesin për tufën dhe ruajtjen e qumështit në kushtet e duhura.

Një pjesë e rëndësishme e investimeve të familjes ka shkuar për mekanizimin e fermës. Fermeri tregon se ka investuar në pajisje të avancuara për procesin e mjeljes, të cilat mundësojnë që qumështi, pas mjeljes së lopëve, të depozitohet drejtpërdrejt në tankun ftohës.

“Kam investuar në mekanizimin e fermës për mjeljen me pajisje të avancuara që bëjnë mjeljen e lopës dhe depozitimin e qumështit drejt në tankun ftohës”, tregon Pisha.

Sipas AZHBR-së, mbështetja financiare për blegtorinë synon të ndihmojë fermerët në rritjen e numrit të krerëve, përmirësimin e kushteve të mbarështimit dhe modernizimin e proceseve të prodhimit.

Në rastin e fermës së Pishës, subvencionimi është shoqëruar me investime në teknologji dhe mekanizim, duke ndikuar në rritjen e eficiencës dhe në përmirësimin e menaxhimit të aktivitetit.

Ferma familjare në Katund të Ri është një nga shembujt e fermerëve që kanë zgjeruar aktivitetin e tyre përmes kombinimit të mbështetjes publike me investimet private, duke synuar një prodhim më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.

AZHBR vijon zbatimin e skemave të mbështetjes për fermerët dhe blegtorët, me fokus në zhvillimin e fermave, rritjen e prodhimit dhe modernizimin e sektorit bujqësor.

Në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, për masat në blegtori janë kualifikuar gjithsej mbi 15 mijë aplikime, të cilët përfitojnë subvencion 12 mijë lekë për krerë/gjedh, për tufa me 5 krerë dhe 1 500 lekë për krerë të imta për tufa me 50 krerë.

Te tjera

Lajme te tjera