Nga Edlira Devolli
Fenomeni i “kërpëratave” është sindromi që nisi me disa deputetë të PD dhe listën vijuese të tyre dalë në zgjedhjet e vitit 2017. U shfaq sapo PD, gjithë hierarkia e strukturave të saj, dhe jo vetëm Basha, morën vendimin për djegien e mandateve. Atëherë vendimin e nxitën, e mbështetën e duartrokitën dhe e mbrojtën ata të cilët më pas e përdorën si kalin e betejës kundër Lulzim Bashës, i cili natyrisht ka përgjegjësinë e tij. Sot asgjë nuk është ndryshe. I njëjti sindrom i përsëritur në mënyrë të shëmtuar në trupën e deputetëve demokrat. “Farën e brumit” për ta thartuar “kulaçin” e hodhi Berisha, sapo mori ndëshkimin non grata dhe u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD. Ne “rajatë” e bazës së partisë nuk e dimë, as Basha nuk e ka shpjeguar, nëse këtë “maja” thartimi ish lideri nuk e ka hedhur që kur listat u hartuan për zgjedhjet e vitit 2021. Një gjë dihet botërisht, fillimisht krerët e listave në qarqe e braktisën të parët PD, vrapuan drejt “foltores” në një parti dhe Grup Parlamentar pa emër. Pastaj rendën në ecejake dhe vendet e dyta, të treta e të katërta. Kushdo që ka lexuar sado pak politologji dhe jurisprudencë e di se në sistemet demokratike, mandati i deputetit pasi fitohet nuk cenohet. Deputeti është i vetmi përgjegjës për atë mandat, përveçse kur bën vepër penale apo ndërron jetë. Pra ligjërisht, kushtetutshmërisht, në gjithë sistemin e të drejtës në demokraci ai nuk preket, e menaxhon vetë deputeti. Por kjo nuk do të thotë se loja politike, turravrapi për një mandat tjetër, pazaret dhe morali politik e njerëzor i përkasin vetëm deputetit, të luaj me ato si të dojë. Loja që kanë bërë e po bëjnë një pjesë e mirë e deputetëve demokrat nuk është e pa lexueshme. Është lojë për interesat e tyre tërësisht individuale, duke i kthyer lëvizjet, si në jermin e somnambuleve, në një ” kërpëratizim” të politikës. Moralisht e politikisht mandati nuk është pronë e tyre. Mandatet e tyre janë frut i punës dhe frymës elektorale të dhjetra mijra anëtarëve të partisë, mbështetësve e simpatizantëve, qytetarëve të pa parti që përqafuan programin e PD dhe votuan që të mund të realizonin rrotacionin e pushtetit. Ata s`duhet të luajnë me “kërpëratizëm” me këtë frymë. Nuk justifikohen dot se e kanë për të mirën e PD. Kjo frymë “kërpëratizmi” demokratëve dhe qytetarëve që duan ndryshimin dhe rrotacionin e pushtetit nuk u intereson, nuk u vlen, nuk u shërben. Ka vetëm tre përfitues nga kjo “pandemi kërpëratizmi, tre palë interesa:
- interesat individuale të secilit që bën këtë lojë të pandershme,
- interesat e superpushtetit të Ramës që i shkon pas midesë “kërpëratizimi” i grupit opozitar,
- interesat e non gratës që i përdor këto lëvizje si “ushtri terrakotash” për interesat e “kullave” të tij.
