E premte, 24 Prill, 2026

Startup Albania/ Rama: ‘Diella’ nuk merr vendime, vendosim ne për të! Platformë e re me AI për skicat e ndërtimeve 

Share

“Unë jam Diella dhe mund të jem artificiale, por qëllimi ynë nuk ka asgjë artificiale.” Me këtë garanci e hapi ministrja virtuale Diella aktivitetin e prezantimit të platformës “Start Up Albania”, një projekt që do të jetë në mbështetje të sipërmarrjes së re, që synon të ofrojë mbështetje përmes edukimit dixhital, promovimit të startupeve, ndërveprimit transparent e efikas, ndërkombëtarizimit dhe informimit mbi zhvillimet më të fundit, duke përfshirë bashkëpunimin me aktorë të brendshëm e të jashtëm.

“Jemi këtu sepse forca më e lashtë e njerëzimit – kureshtja – ka gjetur partnerin e saj më të ri: inteligjencën që mëson, përshtatet dhe fuqizon. Inovacioni nuk ka të bëjë me zëvendësimin e njerëzve me makina; ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve për të bërë realitet atë që dikur dukej jashtë realitetit”, tha Diella.

Për të sqaruar dhe njëherë rolin e ministres virtuale jo vetëm në këtë Startup, por dhe në qeveri, Rama tha se Diella nuk mund të marrë vendime, por do të procesojë të dhënat në mënyrë sa më të shpejtë.

“Njerëzit që kanë një opinion të ndryshe, nuk kuptojmë që ministrja e AI nuk do të marrë vendime për ne, ne do t’i marim vendimet. Ne nuk po i delegojmë përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo bën më mirë se ne. Dhe ajo është të proçesojë të dhëna në mënyrë të shpejtë dhe të na japë pergjigje shumë të shpejta”, tha Rama.

Në këtë projekt, Diella dhe AI do të garantojë ndarjen e barabartë të granteve, si dhe për të gjithë aplikuesit, gara do të jetë transparente. Pra, ky proces do të luftojë burokracinë dhe radhët e gjata të pritjeve apo dhe justifikimet për të marrë një letër në zyrat e shtetit.

“Është një platformë e cila do të aksesojë të gjitha Startup-et që do të marrin grante përmes inteligjencës artificiale. Pra të gjithë aplikuesit do të shohin nëse janë fitues dhe arsyet pse nuk kanë fituar dhe cilat janë arsyet pse kanë fituar të tjerët.

Pra është një proces që lufton burokracitë. Pra fillimi i burokracisë është që thotë jo, hajde nesër. Por kjo nuk të thotë jo, pasi nuk ka kohë, nuk ka pushim dreke dhe është e aksesueshme në të gjithë kohën”, tha kryeministri.

Inteligjenca artificiale do të gjejë zbatim edhe në fushën e arkitekturës, në një platformë të re që do të prezantohet në muajin tetor në Tiranë. Kjo platformë e krijuar nga një shqiptar, sipas Ramës, mund të reduktojë punën e arkitektëve me 95% dhe do të jetë një ndihmë për ata që duan të ndërtojnë.

“Kjo platformë ju ndërton shtëpinë. Nuk është e thjeshtë kjo. Pasi iu bën shtëpinë, ju mund të thoni se mund të bëj disa ndryshime. Madje ju bën edhe skicën inxhinierike. Pra nuk ju duhet të ndërtosh tradicionalisht, nuk duhet të shkoni në një zyrë të shtrenjtë për arkitektë por thjesht mund të keni këtë platformë dhe të merrni leje në bashki me këtë plan. Në tetor do të prezantohet në Tiranë dhe do të jetë në treg dhe në duart e gjithësecilit”, tha kryeministri.

Duke ofruar mbështetjen për të gjithë të rinjtë që do të marrin pjesë në startup-e, Rama bën thirrje për marrjen seriozisht të këtij projekti referuar dhe kostove ekonomike që ka, të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Te tjera

Lajme te tjera