Nuk kanë fund bëmat e kabinetit të ri qeveritar. Edi Rama u mundua të vinte në krye të shëndetësisë një njeri të fushës, por duket se Evis Sala, po del gallatë fare.
Pasi mori 2 javë pushime menjëherë pas nisjes së detyrës, ministrja duket se nuk ja ka haberin fare të realiteti të shëndetësisë. Ajo vijon të jetë jashtë dhe flet për realitete surreale. Në spitalet tona nuk ka krevate, nuk ka ilaçe, madje një pjesë janë të skaduara sipas KLSH, por ministrja flet për futje të inteligjencës artificiale në shëndetësi. Deklarata u bë në një samit në Londër ku ajo mori pjesë.
“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.
Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizimin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.
