Rigels Seliman
Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka hedhur një tjetër “shok” mbi politikën shqiptare, duke denoncuar rrënjët e thella të spiunazhit serb në Tiranë dhe duke zbuluar rolin vendimtar të SHBA-ve për orientimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, Serbia ka shekuj që rekruton e blen krerët shqiptarë, por tashmë kjo lojë është bërë e pamundur për shkak të pranisë së CIA-s, FBI-së dhe strukturave të tjera amerikane. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, avokat Ngjela thekson se shqiptarët sot kanë tre shtete të tyre – Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Çamëria pritet të ndjekë të njëjtin rrugëtim historik. Ai akuzon Edi Ramën për inaktivitet dhe mungesë vizioni në raport me politikën amerikane, duke paralajmëruar se koha do ta detyrojë të “ndreqet”. Në anën tjetër, ai Partinë Demokratike e quan qendrën e antishqiptarisë, me një lider si Sali Berisha që prej 30 vitesh luan kundër interesit kombëtar. Sipas Ngjelës, politika shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë është në një etapë të re, por lidershipet janë ende të çoroditura nga frika e së resë. Përfundimisht, ai është i bindur se rruga e vetme e zhvillimit është BE-ja, e cila po avancon më shumë falë dorës amerikane sesa veprimeve të qeverisë Rama.
“Serbia ka shekuj që rekruton ose blen krerët e Shqipërisë. Por tani nuk e ka më të lehtë; sepse në Shqipëri janë prezente edhe CIA edhe FBI, por edhe segmente të tjera të politikës sekrete amerikane. Nuk kanë çfarë’ të na bëjnë më: as Beogradi; as Athina; as Parisi, dhe askush tjetër. Por koha u ka sjellë shqiptarëve tre shtete shqiptare: Shqipëria; Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Po Çamëria? Edhe ajo në atë rrugë është; por socialistët duhet të mendojnë mirë për kryetarin e partisë dhe kryeministrin e tyre; sepse deri tani; në funksion të politikës amerikane; kryeministri Rama është inaktiv. Por koha sigurisht që do ta “ndreqë” edhe atë. Po Partia Demokratike? Ajo është krejt jashtë shqiptarisë, sepse dihet tanimë që kryetari i saj Berisha ka 30 vite që po luan kundër shqiptarisë; por lodhet kot, sepse kuptohet që po ka vite që po punon në vakum. Por koha kërkon sot aktivitet ndërkombëtar intensiv të qeverisë Rama. A e di Rama këtë fakt? E di, por ende nuk po luan nga vendi, edhe pse nuk po sjell më pengesa. Politika shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë ka hyrë në një etapë të re; por lidershipet e të dy vendeve janë ende në çoroditjen e tyre: kjo sepse Shqipërinë dhe Kosovën më shumë i tremb politika e re që duhet të ndjekin, sesa i lejon që të jenë në veprim me një ratio të vërtetë të aktualitetit arbëror të të dy shteteve shqiptare – Shqipëri dhe Kosovë. Por cila është kjo ratio e vërtetë? Arsyeja e vërtetë e zhvillimit të Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Dhe kjo mirë po ecën; por këtë ecje më shumë po e ndihmon politika amerikane, sesa politika e Edi Ramës. Gjithsesi duhet pranuar se antishqiptaria tani e ka qendrën në kryesinë e Partisë Demokratike. Por kjo çështje e ecjes së Partisë Demokratike në këtë rrugë varet nga pyetja: si do të përfundojë procesi penal me akuzë për korrupsion që SPAK po zhvillon kundër Sali Berishës”, shkruan avokat Ngjela.
